Don Lush Gjergji me libër të ri për Nënë Terezën
Pajtim Çuni
Sot shënohet 109 vjetori i lindjes së Anjezë – Gonxhe Bojaxhiut, e njohur botërisht si Shën Nëna Terezë.
Murgesha katolike tërë jetën e saj u mor me bamirësi duke i ndihmuar të varfërit dhe personat e sëmurë nëpër botë. Për të bëmat, Nëna Terezë u shenjtërua më 5 shtator 2016, nga Selia e Shenjtë në Vatikan, 19 vite pas vdekjes.
109 vite më parë, në Shkup, shqiptarëve Kolë e Drane Bojaxhiut, u lindi një vajzë, Anjeza – Gonxhe Bojaxhiu, e cila sot njihet në gjithë botën si një humaniste e madhe që u doli në ndihmë të varfërve. Biografi i saj, Don Lush Gjergji i tha Radio Kosovës se Shën Tereza, është figurë unike shqiptare e botërore.
“Gonxhe Bojaxhiu arriti që traditën, kulturen dhe qytetërimin tonë të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar ta paraqes në dimensione botërore. Ajo, e begatuar me fe e dashuri, përqafoi botën mbarë dhe e gjeti mund të themi figurativisht, barin apo mjekimin për cdo të keqe”, tha “Don Lush Gjergji”.
Nënë Tereza, për të bëmat e saj në shërbim të njerëzimit e të së mirës, më 10 dhjetor 1979, u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. I pranishëm atëherë ishte edhe Don Lush Gjergji, që thotë se u ndje i lumtur kur shqiptarja mori këte çmim botëror.
“Komiteti Nobel nuk kishte dyshim kujt t’ia jep çmimin, por a do të pranonte Nëna Tereze, sepse ajo thoshte, jam e lodhur me çmime. Kishte marrë 130 çmime ndërkombëtare. Nënë Tereza s’ka jetuar për këtë gjë. Ajo ka jetuar vetëm të bëjë mirë”, pohon Gjergji.
Don Lush Gjergji shpjegon se Nënë Tereza, në fjalimin e saj, kur iu nda Cmimi Nobel Për Paqe, kishte treguar për rrënjet e saj shqiptare, me këto fjalë.
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Luti Zotin që paqja e tij të vije në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Njerëzit mbetën të mahnitur. Sepse, shumëkush deri atëherë ka menduar se Nënë Tereza është nga India, por nga ajo ditë, u ndërrua gjithçka”, shton Gjergjji.
Fjalimi i saj, është i botuar në librin më të ri të Don Lush Gjergjit, me titull “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, i cili do të promovohet sonte. Gonxhe Bojaxhiu e njohur botërisht si Nënë Tereza, për vlerat e saj jetësore, u shenjtërua më 5 shtator 2016, nga Selia e Shenjtë në Vatikan, 19 vjet pasi vdiq.























