Mustafa pret përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm për Osmanin
BKT
Lajme

Mustafa pret përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm për Osmanin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, vetëm pak orë para se të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm e cila do të vendosë për kandidaturën e Vjosa Osmanit, tha se pret përkrahje nga ky organ i partisë.

Ai tha se Osmani, një grua që ka guximin të përballet me sfidat e shtetit, meriton që të ketë përkrahje të pa rezervë.

“Përkrahjen e sigurt e pres sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. E nesër, nga qytetarët e Kosovës. Një grua, një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të pa rezervë qytetare”, tha Mustafa.

Ai theksoi se Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. “E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për t’u përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze”, vijoi Mustafa.

Kreu i LDK-së, ashtu sikurse bëri dje pas mbledhjes së kryesisë, pati fjalë të mëdha për Lutfi Hazirin.

“Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, po ashtu, z. Lutfi Haziri, tani kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të pa rezervë Vjosës”, tha Mustafa.


MË SHUME NGA Lajme