KQZ në pritje të ndarjes së buxhetit
Albulena Bytyqi
Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shpallur datën e zgjedhjeve, që do të mbahet më 6 tetor. Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor për Buxhet në KQZ, i tha Radio Kosovës se kanë filluar përgatitjet dhe janë të gatshëm të bëjnë organizimin e zgjedhjeve, edhe pse buxheti ende nuk është ndarë për KQZ-në.
Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë së ka filluar përgatitjet e planit operacional për mbajtjen e zgjedhjeve më 6 tetor, pavarësisht kohës së kur do të ndahet buxheti. Ky institucion thekson se do të vazhdojë të kryejë angazhimet dhe punët që kërkohen në funksion të përgatitjes së procesit zgjedhor. Kështu i tha Radio Kosovës, Ilir Gashi, nga KQZ. Ai nënvizoi se presin nga qeveria që sa më shpejt ta ndajë buxhetin e kërkuar për KQZ-në.
“Ne realisht kemi filluar me përgatitjet e zgjedhjeve, kemi bërë planin operacional dhe pavarësisht kohës së kur do të ndahet buxheti punët e tona do t’i kryejmë, sa ma shpejt që të ndahet buxheti e bën me funksional kryerjen e operacioneve tona, kështu që po presim nga qeveria që sa me shpejt ta ndajë buxhetin”, tha ai .
I pyetur se deri kur është afati kohor për ndarjen e buxhetit për KQZ-në, Gashi ka thënë se nuk kanë ndonjë afat të caktuar, pasi që këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme, mirëpo, sipas tij, ndarja e buxhetit brenda pak ditësh do t’ua lehtësonte punën.
Jo nuk kemi afat të caktuar, sepse tashme jemi ne situatë të jashtëzakonshme të shpalljes së zgjedhjeve, kështu që kurdo që ndahet, sa më shpejt na lehtëson punën më mirë.
Vlerësohet se zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 6 tetor, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë rreth 6 milionë euro.























