Nesër mbahet afati i dytë i maturës shtetërore
BKT
Lajme

Nesër mbahet afati i dytë i maturës shtetërore

Albana Karaj

Afati i dytë i maturës shtetërore do të mbahet nesër pjesa e parë, ndërsa më 7 shtator pjesa e dytë. Këtij provimi do t’i nënshtrohen rreth 10 mijë maturantë, të cilët nuk e kaluan testin në afatin e parë. Komisioni Shtetëror i Maturës, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke u bërë thirrje maturantëve që të respektojnë rregullat, pasi mund të ndëshkohen dhe të humbin mundësinë për të vazhduar studimet e larta.

Maturantët të cilët nuk e kaluan provimin shtetëror në afatin e parë të qershorit, i nënshtrohen atij nesër në afatin e dytë.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, tha për Radio Kosovën se komisioni së bashku me drejtoritë komunale të arsimit, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e këtij testi.

“Kësaj radhe testimi nuk do të bëhet i ndarë në rajone, por do të zhvillohet në të njëjtën ditë për tërë vendin, pasi ka një numër më të vogël të nxënësve”, tha Hysenaj.

Hysenaj u bëri thirrje maturantëve që të mos marrin telefona me vete në testim, pasi do të ndëshkohen dhe mund ta humbin mundësinë për t’u diplomuar këtë vit.

Provimi shtetëror i maturës do të organizohet në 101 qendra të testimit në mbarë vendin, ndërsa pjesa e dytë e testit do të mbahet më 7 shtator. Për mbarëvajtjen e procesit do të angazhohen rreth 1 mijë e 200 administrues, 120 komisionarë dhe 120 monitorues. Rezultatet e provimit do të publikohen më 16 shtator.

Në afatin e parë të Testit të Maturës kalueshmëria ka qenë 64.64% dhe janë larguar 270 nxënës, kurse për 8 administrues janë marrë masa.


MË SHUME NGA Lajme