Në Rrugën e Kombit pritet të vendoset peshorja për automjetet e rënda
Majlinda Doda
Nga shtatori, pritet që në Rrugën e Kombit të vendoset edhe peshorja për automjetet e tonazhit të rëndë. Këtë e kanë konfirmuar për Radio- Kosovën autoritet në Shqipëri. Por, për këtë, nuk janë njoftuar institucionet e Kosovës. E për bizneset, kjo është edhe një ngarkesë shtesë e cila do të dëmtojë zhvillimin e tyre.
Në Rrugën e Kombit në Shqipëri, së shpejti pritet të vendoset peshorja për automjetet e tonazhit të rëndë. Zyrtarë nga qeveria shqiptare kanë konfirmuar për Radio–Kosovën se së shpejti do të publikohen detajet e tjera lidhur me këtë.
Por, për këtë, askush nuk i ka informuar autoritet e Kosovës. Këshilltari politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Durim Limaj, në një përgjigjeje elektronike për Radio Kosovën thotë se ende nuk kanë informacione sa i përket kësaj. Ai thotë se MTI është duke punuar në vazhdimësi për heqjen e taksës ekzistuese, dhe nëse një taksë tjetër do të mund të vendosej nga autoritetet shqiptare, atëherë pa dyshim se kjo do të rëndonte ekonominë e Kosovës dhe do të zvogëlonte mundësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet të dyja vendeve.
Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë për Radio Kosovën se kjo është në vazhdën e barrierave të panevojshme, e cila prek drejtpërdrejt bizneset nga Kosova, Shqipëria dhe anasjelltas.
“Ne do të synojmë që të ketë faktikisht zero taksa të tilla në raport me Shqipërinë, por gjithmonë, pavarësisht synimeve tona, po na dalin në rrugë edhe këso lloj problemesh, e kjo do ta ndezë prapë diskutimin për sa i përket relacioneve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Vendimmarrja në Shqipëri për këto çështje, duke ditë që preken shumë biznese nga Kosova dhe nga vende të tjera, është shumë jo transparente, së paku nuk kemi qenë të paralajmëruar nga askush”, tha ai Rukiqi.
Bizneset kosovare janë të shqetësuara me këtë. Përfaqësuesi i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se nëse një gjë e tillë jetësohet, me këtë Shqipëria po i shkel konventat e bashkëpunimit.
“Edhe ashtu qysh është tepër e ngarkuar me taksën rrugore, dhe së dyti edhe një taksë shtesë nëse ndodh, me të vërtetë atëherë duhet që krerët politikë ta zgjidhin këtë problem, në formë që bizneset, shkëmbimet tregtare, shkëmbimet e kapitalit në mes të shteteve, mos të pengohen përmes taksave të ndryshme”, tha Shahini.
Përfaqësuesit e bizneseve theksojnë se të dy qeveritë duhet të krijojnë një taskëforcë për eliminimin e barrierave, në favor të zhvillimit të bizneseve të tyre.























