Bytyqi: Fëmijët e kthyer nga Siria do integrohen në klasa të rregullta
Viti i ri shkollor 2019/2020 ka filluar mbarë dhe pa telashe, derisa të gjitha tekstet e reja janë shpërndarë nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i cili tha se fëmijët e kthyer nga Siria shumë shpejt do integrohen në klasë të rregullta.
I pari i arsimit këto komente i bëri gjatë vizitës që realizoi në shkollën fillore “Naim Frashëri” në kryeqytet, ku në këtë vizitë për të uruar vit të mbarë shkollor u shoqërua edhe nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Bytyqi tha se në bazë të informacioneve që ka deri tani, të gjitha tekstet janë bartur nëpër shkolla.
Në anën tjetër për shumë kohë u përfol se fëmijët e riatdhesuar nga Siria, do nisin mësimin në shtator, por sipas ministrit të Arsimit me qëllim që ata t’u bashkohen bashkëmoshatarëve të tyre, janë duke u bërë edhe disa përgatitje dhe së shpejti edhe ata fëmijët do jenë pjesë e klasave të rregullta.
Lidhur me mësimin tërë ditor, ai tha se ka pasur kërkesa të shumta nga shumë shkolla por që së shpejti pritet të fillojë edhe ky proces.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se komuna e Prishtinë i ka afër 50 mijë nxënës që vijojnë në 73 institucionet arsimore, ndërsa, vetëm këtë vit në klasën e parë janë regjistruar 3500 nxënës.
Ndonëse e kishte pritur që dita e parë në shkollat e komunës ku ai udhëheqë të ketë telashe, Ahmeti thotë se gjithçka ka shkuar ashtu siç është planifikuar.
I pyetur rreth zotimit të tij se në mandatin e tij do ndërtoj pesë shkolla, Ahmeti tha se tanimë dizjani i tyre ka përfunduar dhe se janë duke pritur përgjigjen nga komiteti ndërministror.
Në anën tjetër, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala tha se komuna e Prishtinë ka bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në aspektin pedagogjik.
Drejtoresha e shkollës së mesme të ulët” Naim Frashëri”,Shqipe Vllasaliu po ashtu tha se shkolla që ajo e udhëheqë ka filluar këtë vit të ri shkollor me disa risi./KosovaPress/























