Ismaili: Në vend se të fajësoni, bëhuni pjesë e luftimit të korrupsionit
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili përmes një postimi në Facebook u ka dërguar porosi edhe partive tjera që në vend se të fajësojnë njëri tjetrin, të bëhen pjesë kundër luftës ndaj korrupsionit.
Duke folur për nismën e Kadri Veselit për paktin e korrupsionit, Ismaili ka shtuar se një pakt i tillë ofron lista të kandidatëve për deputetë, pa aktakuza dhe një front ndërkombëtar që ofron luftë kundër korrupsionit.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të gjithë e pranojmë se korrupsioni është i kudondodhur, por deri më tani vetëm PDK-ja ka vendosur që seriozisht ta luftojë atë.
Lufta kundër korrupsionit tejkalon pazaret për koalicione dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm nga të gjitha partitë, figurat politike dhe shoqëria civile.
Për shkak të urgjencës që sfidon Kosovën, sot Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, me bindjen e tij të plotë, vizionin e tij të qartë dhe drejtpërdrejtshmërinë e pashembullt prezantoi një pakt ku ftohen të gjitha partitë që të bëhen pjesë e luftës tonë të pakompromis kundër korrupsionit.
Duke e nënshkruar këtë pakt dhe duke ofruar lista të kandidatëve të pastër e pa aktakuza për deputetë Kosova do të krijonte një front kombëtar që do ta mposhtte korrupsionin e nepotizmin.
Në vend të fajësimit të njëri-tjetrit, ne i ftojmë të gjithë që të mbështesim njëri-tjetrin në luftën për të ardhmen e vendit.
Korrupsioni është kundër nesh, por pyetja është: “A jemi ne kundër tij?!” Refuzimi i këtij pakti nuk është përgjigja që qytetarët duan të dëgjojnë sepse është jo vetëm dorëzim përballë korrupsionit, por edhe mbështetje për rritjen e tij.
Ndërsa pranimi i paktit nderon institucionet e shtetit dhe qytetarët, i jep mundësi sundimit të ligjit dhe ngjallë shpresë në popull, në veçanti tek brezi i ri që është bërthama e shoqërisë dhe shtetit tonë.























