Haradinaj: Qëndrimi i qartë i Gjermanisë e ka shpëtuar Ballkanin
BKT
Lajme

Haradinaj: Qëndrimi i qartë i Gjermanisë e ka shpëtuar Ballkanin

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është takuar sot me deputetin e Bundestagut Gjerman, Peter Beyer.

“Shpreh një falënderim të veçantë jo vetëm në emrin tim por edhe të gjithë popullit të Kosovës për një qëndrim shumë të qartë dhe vërtet shumë mbështetës për Kosovën dhe integritetin territorial, kufijtë, pra, mos lejimin e lëvizjes së kufijve nga Gjermania, kancelarja Merkel por edhe nga të gjithë CDU dhe kolegët që na kanë përkrahur në vazhdimësi në këtë temë. Mendoj se me këtë e kanë shpëtuar edhe Ballkanin, nga një jo stabilitet serioz dhe për këtë u jam jashtëzakonisht falënderues”, kështu tha kryeministri në detyrë i  Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se kishte nderin që ta zhvillojë një takim me, Peter Beyer, i cili është anëtar i Bundestagut gjerman, i ngarkuar për marrëdhënie Transatlantike dhe i cili është mjaftë i interesuar për rajonin tonë në kuadër të CDU-së, por edhe në kuadër të Parlamentit gjerman edhe institucioneve të Gjermanisë, duke shtuar se e ka shfrytëzuar këtë mundësi që në këtë bisedë t’i japë shpjegimet e tij për gjendjen në Kosovë që pas dorëheqjes së Qeverisë dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje.

“I tregova se jam mjaftë i kënaqur për pjekurinë e demokracisë tonë që është treguar në të gjitha këto procese. Njëkohësisht, menjëherë pas zgjedhjeve shpresojmë që, ata që e marrin besimin, jo vetëm të ndërtojnë me shpejtësi institucionet e Kosovës, Qeverinë e re, Parlamentin por edhe të rikthejnë dinamikën e agjendës evropiane për Kosovën, e marrëdhëniet bilaterale Kosovë- Gjermani dhe e luta z. Peter Beyer që të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe rajonin ashtu siç edhe  është deklaruar kancelarja Merkel në procesin e Berlinit sepse, Kosova e ka synim anëtarësimin në BE”, theksoi kryeministri në detyrë, Haradinaj.

Ndër tjerash, në konferencën për gazetarë, kryeministri në detyrë, Haradinaj,  tha se e diskutuan edhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se për këtë qytetarët e Kosovës janë mjaftë të interesuar por se ende nuk ka një datë ose një kohë precize për temën e liberalizimit të vizave.

Deputeti i Bundestagut Gjerman, Peter Beyer (CDU), falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke thënë se është biseduar për tema të përgjithshme, me theks integritetin territorial të Kosovës dhe se qëndrimi i  Gjermanisë është që Kosova të ruaj kufijtë që i ka dhe kjo është me rëndësi për Gjermaninë, por edhe për miqësinë mes dy shteteve tona, duke qenë se Gjermania është ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe këtë qëndrim vazhdon ta mbajë edhe më tej.

“Është vërtet dëm që jo të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën, andaj ftoj të gjitha shtetet e BE-së, posaçërisht atë të pesëshes ta bëjnë të njëjtin veprim si ne”, tha deputeti Beyer, i cili po ashtu ka ftuar partitë politike për një proces zgjedhor fer, meqë është me rëndësi për të ardhmen e vendit, për krijimin e vendeve të punës avancimin e arsimit të cilin e meritojnë të rinjtë por edhe të moshuarit dhe se ky është prioritet sa i përket ardhmërisë së vendit.

Deputeti Beyer po ashtu, tha se është biseduar edhe për procesin e dialogut, ndërsa u shpreh i lumtur që kancelarja Merkel e ka bërë të qartë në Hungari, se Bashkimi Evropian nuk ka të ardhme pa integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe këtë porosi nuk mund ta dëgjojmë shpesh dhe gjitha këto porosi duhet të zbatohen.


MË SHUME NGA Lajme