“Women 4 Women” ndanë grante për gratë ndërmarrëse
BKT
Lajme

“Women 4 Women” ndanë grante për gratë ndërmarrëse

Pajtim Çuni

Me qëllim të fuqizimit të pozitës së gruas, Organizata “Kosova “Women 4 Women” ka bërë thirrje publike për ndarjen e disa granteve për gratë  ndërmarrëse apo ato që duanë të hapin ndonjë biznes. Në këtë organizatë thonë se aplikimi për këto grante ka filluar ditë më parë dhe të interesuarat mund të aplikojnë deri më 11 shtator.

Gratë në Kosovë nuk janë në pozitën më të mirë në pothuajse në të gjitha sferat e shoqërisë. E me qëllim të fuqizimit të pozitës së tyre në shoqëri, Organizata “Kosova “Women 4 Women”, ka bërë një thirrje për grante investuese për gratë ndërmarrëse apo ato që duanë të hapin ndonjë biznes. Drejtoresha e kësaj organizate, Ilirjana Jaka-Gashi, tregoi për Radio Kosovën se sa është vlera e granteve dhe sa të tilla do të ndahen.

“Kjo thirrje për grante, e cila është shpallur, është një komponentë e një projekti që e financon GIZ-i gjerman, që për qëllim ka eksportin e produkteve jashtë dhe punësimin e kosovarëve këtu. Do të jepen grante për rreth 28 biznese, ku gratë janë pronare, bashkëpronare apo ku shumica e të punësuarve janë gra. Shuma do të jetë deri në 3 mijë euro, varësisht nga ideja dhe nevoja e biznesit”, tha ajo.

Sipas Ilirijana Jaka-Gashi, aplikimi për grante ka filluar ditë më parë dhe të interesuarat këtë mund ta bëjnë deri më 11 shtator.

“Këtë javë i kemi sesionet informuese në disa qytete të Kosovës. Një të tillë e kemi mbajtur në Prishtinë, ku kishte interesim të madh të grave. Grantet do të jepen për bizneset fillestare, për ato që kanë gati dy vite të funksionimit. Kjo bëhet pasi jemi të interesuar të ndihmojmë bizneset e vogla të cilat janë në fillesat e tyre.”

Fuqizimi ekonomik i grave është i duhur dhe i mundur dhe kjo i sjell të mira shoqërisë, thotë Ilirjana Jaka-Gashi, që drejton shoqatën që në plan të parë i ka gratë. Sipas saj, fuqizimi ekonomik i grave mundëson pavarësimin dhe përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri.

 


MË SHUME NGA Lajme