Dhuna ndaj fëmijëve, 59 për qind të moshës 11-16 vjeçare
BKT
Lajme

Dhuna ndaj fëmijëve, 59 për qind të moshës 11-16 vjeçare

Mejreme Tahirukaj

Dhuna ndaj fëmijëve, veçanërisht dhuna seksuale është një nga format më të rënda të abuzimit me fëmijë dhe paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre. Rastet e dhunës seksuale te moshat e mitura janë shumë të shpeshta në Kosovë. 59 për qind të viktimave të dhunës seksuale janë të moshës 11-16 vjeçare.

Në Kosovë ka filluar fushata për ruajtjen e provave biologjike në raste të dhunës seksuale. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gerxhaliu, thotë se duhet të ngritën standardet operative profesionale, në mënyrë që të mos vonohet me provat biologjike. Ai thotë  se IML nuk është përgjigjja përfundimtare, por duhet ndihma e viktimave që ta paraqesin dhunën menjëherë sapo të ndodhë, pasi që provat biologjike nuk qëndrojnë gjatë në trup.

“Gjysma e punës është vendi i krimit, po ndodhin shumë gabime që ne kemi nevojë të jemi bashkë dhe t’i ndërtojmë standardet operative, mos të vonohemi me provat biologjike që nuk na lënë të presim, sepse qëndrojnë shumë shkurt në trupin e njeriut dhe duhet kërkuar ndihmë nga institucionet nga ata që janë më të atakuar.

Meqë statistikat e Institutit të Mjekësisë Ligjore tregojnë se shumica e viktimave të dhunës seksuale janë të moshës 11 deri 16 vjeçare, kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes në mesin e fëmijëve të shkollave rreth rëndësisë së ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale, si dhe për të dhënë informata rreth mënyrave të ruajtjes së provave të tilla, që do të shërbejnë për sjelljen e kryerësve të veprave para drejtësisë. Dr. Bergita Curri, specialiste e mjekësisë ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka thënë se dallimi në viktimat meshkuj dhe femra është shumë i madh. Sipas saj, grupi më i cenuar janë femrat.

Ajo tregon se vetëm në 28 për qind të rasteve janë marrë mostra dhe sipas saj, aktgjykimet dënuese janë të pakta.

Kjo ka qenë një e dhënë tjetër që na shqetëson. Nëse nuk ka prova biologjike dhe dëshmi që e lidh direkt përmes ADN-së viktimën me dhunuesin, është e vështirë të dëshmohet përfshirja e kujtdo në një rast.

Dr.Bergita Curri thotë se problem është edhe koha e raportimit të dhunës, gjë që është e dëmshme për provat biologjike. Sipas saj, synim i projektit “Ma thuaj me Kohë” është përmirësimi i kohës së raportimit.

Slogani “Ma thuaj me Kohë”nëse e themi shumë vonë nuk na ndihmon, po ashtu edhe veprimet pas ngjarjes pas aktit të dhunës seksuale mos u pastro,mos ha, mos i ndërro ndërresat, etj.

Zëvendësdrejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore nga EULEX, Tarja Formisto, ka thënë se duhet bërë përpjekje që të ngritët vetëdija e secilit prej nesh për dhunën seksuale.

“Duhet mbajtur në mend se abuzimi seksual nuk është i patejkalueshëm dhe duhet marrë preventiva për këtë. Secili prej nesh duhet luajtur rolin të mbrojë fëmijët dhe njerëzit e rinj nga traumat dhe dhimbjet nga të qenit i abuzuar seksual që ta ndërtojmë së bashku një jetë të mirë për të gjithë.”

Ndërsa ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se të gjithë duhet bërë bashkë që t’u rritet shpresa viktimave të mbijetuara nga dhuna seksuale.

Ndryshe kjo fushatë, e organizuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore  në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për situatat e mundshme që i ekspozojnë kategoritë e ndjeshme në rrezikun e të qenit viktimë e dhunës seksuale. Fushata “Ma thuaj me Kohë” parasheh organizimin e një sërë ligjëratash edukative në 32 shkolla fillore dhe të mesme nëpër Kosovë. Ligjëratat do të mbahen nga specialistë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe nga përfaqësues të Policisë së Kosovës, të cilët do të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijesimit në mesin e nxënësve të shkollave në lidhje me situatat e mundshme që i ekspozojnë kategoritë e ndjeshme në rrezikun e të qenit viktimë e dhunës seksuale dhe në lidhje me rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale. Fushata “Ma thuaj me Kohë” do të zgjasë deri në mes të vitit 2020.


MË SHUME NGA Lajme