Limaj: Kosova nuk zhvillohet me fjalë, por me vepra konkrete
Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se Kosova nuk zhvillohet me fjalë, por me veprime konkrete të cilat janë parakusht për zhvillimin e bizneseve. E sipas tij, shembull i atyre që veprojnë është ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Këto komente Limaj i bëri me rastin e vizitës në Parkun e Biznesit në Budrikë të Vitisë, ku në shoqërinë e ministrit Shala inspektuan nga afër punimet që po bëhen në këtë zonë.
Kandidati i koalicionit Nisma-AKR-PD, tha se krijimi i kushteve të mira për bizneset është shembulli më i mirë se çfarë rruge duhet ndjekur për të ndihmuar bizneset, si dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Ai tha se ministri në detyrë, Endrit Shala është duke bërë një punë të shkëlqyer në krijimin e parakushteve për biznes, që ka qenë edhe një nga premtimet e Nisma-s.
Limaj u shpreh se kohë më parë, bizneset me vetiniciativë kanë rregulluar infrastrukturën, ndërsa tash ministri Shala me punën e tij, siç tha Limaj, po u ofron bizneseve gjithë atë që kanë nevojë.
Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se kjo është zona e tretë ekonomike në të cilën janë duke investuar si ministri, e që arrin vlerën prej 1.8 milion euro.
Ai u shpreh se janë të përkushtuar në ofrimin e kushteve sa më të mira për bizneset, për çka tha se do të vazhdojnë me investime të tjera edhe në komunat tjera. E siç tha ai, investimi i radhës do të jetë në komunën e Malishevës.
Shala tha se gjithçka është duke shkuar në bazë të afateve të parapara.























