Limaj: Të drejtosh parti të madhe s’nënkupton që je gati për kryeministër
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR- PD, Fatmir Limaj, ka treguar se si e sheh ai këtë garë për të parin e qeverisë.
A mendon ai që kundërkandidatët e tij janë pamjaftueshëm të përgatitur për ta udhëhequr vendin apo mendon se është më i mirë se ata me të cilët është në garë?
“Ne kemi nevojë për secilin. Besoj që ka shumë njerëz të mirë në të gjitha grupet politike. Detyra e një burrështetasi është si t’i mbledhë ata njerëz të mirë dhe t’i fusë në funksion të projektit për të mirë të vendit”.
“Refuzoj të përgjigjem në fraza përjashtuese për njerëzit sepse përpiqem që të shohë anët pozitive se çka na lidhë me atë njeri dhe çka mund të bëjmë bashkë”.
Limaj në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar se çfarë kushtesh duhet të përmbushë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, sipas tij.
“Aktualisht unë besoj që për ta drejtuar vendin duhet me qenë disa parakushte, para së gjithash pjekuria dhe urtësia politike, kompetenca e cila nuk lexohet dhe mësohet për një javë, por vjen dhe ndërtohet nga përvoja të cilën e ke kaluar”.
“Personalitetet që kanë qenë pjesë e vendimmarrjes e kanë matë veten se sa dinë t’i peshojnë gjërat për të ardhë te një vendimmarrje e drejtë, pastaj emocionalisht në fund je përgatitur për një temë të tillë”.
“Ka shumë poste që në jetën time kam refuzuar për këto 30 vjet sepse nuk e kam ndjerë veten të përgatitur. Gara për kryeministër nuk është lojë futbolli, por është përgjegjësi shumë e madhe”.
“Para se ta kërkosh votën e qytetarëve duhet me bind veten që a je i gatshëm ta marrësh një përgjegjësi të tillë”.
Limaj ka thënë se të drejtuarit e një partie politike që supozohet të jetë e madhe nuk nënkupton që je i përgatitur për të qenë edhe kryeministër. Por, ai nuk ka treguar se kujt prej kundërkandidatëve të tij po i referohet.
“Apriori nuk do të thotë që drejtuesi është i gatshëm për ta marrë përgjegjësinë e kryeministrit. Kemi shumë raste, edhe në historinë tonë të shkurtër të Kosovës, që ka ndodhë një gjë e tillë”.
“Duke e krahasuar me atë që e pret vendin po ma merr mendja që Kosova sot duhet të nisë të votojë jo më kundër, jo më me heqë qafe dikë. Ka kohë të gjatë që ne votojmë kundër. Mobilizohet vota ‘kundër’, por jo edhe vota ‘pro’”.
“Në fushatën e sotme elektorale argumenti i vetëm pse duhet të fitojë dikush është për shkak që duhet me u largu dikush. Mënyra dhe motivimi se si po shkohet drejt votës nuk mund të krijojë qeveri të shëndoshë dhe pozitive”.























