KQZ vendos, renditja e subjekteve politike do të jetë nga numri 111 e tutje

KQZ vendos, renditja e subjekteve politike do të jetë nga numri 111 e tutje

Në Kuvendin e Kosovës nuk do të mund të ketë deputetë që do ta marrin këtë post falë numrit të partisë, pasi që KQZ ka vendosur që numrat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë nga 111 e lartë e jo më të korrespondojnë numrat e partisë me kandidatët, sikurse në zgjedhjet e kaluara.

Për këtë vendim ka njoftuar drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimit të Subjekteve Politike, Yll Buleshkaj, sipas të cilit tash e tutje renditja e subjekteve politike në fletëvotim do të jenë nga 111 deri 135.

“Shqyrtimi dhe miratimi i një draft-udhëzuesi, i cili pritet të bëhet, është praktikë e mirë e KQZ-së që kur organizohet tërheqja e shortit nga herët e kaluara që të organizohet tërheqja e shortit të miratohet një udhëzues, i cili i përshkuan hapat një nga një për tërheqjen e numrave të subjekteve politike ashtu siç do të duken në fletëvotim. Është kryesisht i bazuar në udhëzuesin e herëve të kaluara, do të vendosen dy vazo, në një vazo do të jenë emrat, në vazon tjetër do të jenë numrat e subjekteve politike. Kësaj radhe kemi propozuar që të fillojnë nga numri 111, në mënyrë që mos të ketë probleme ku një kandidat të ketë numrin e njëjtë me subjektin politik, do të jenë 25 numra sa janë subjekte politike nga 111 deri në 135”, tha ai.

Për këtë udhëzim u pajtuan të gjithë anëtarët e partive politike. Ilir Gashi anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, ndonëse u pajtua me këtë udhëzim, kërkoi që të bëhet më atraktiv kombinimi i numrave.

“Çdo herë kur e kemi bërë tërheqjen e shortit ka konciduar që ai numër me i ra një kandidati, dhe pothuajse sa herë që kandidatëve iu ka rënë ai numër, ata janë bërë deputet, pavarësisht se a ka qenë i 80 apo 90, megjithatë kanë pasur fat. Ndoshta pajtohem me këtë që kanë propozuar që të jetë mbi 110, por do të ishte mirë që të ketë një atraktivitet të numrave në kuptim të renditjes, sepse ajo bëhet kur të tërhiqet shorti, por kombinimi i numrave do të ishin më lehtë për t’u mbajtur mend për faktin se janë tre shifror”, tha ai.

E Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur një vendim të tillë për çka tha se kjo ndikon edhe në zvogëlimin e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme.

“Pajtohem që renditja mos të jetë ose të mos korrespondojë me numrat e kandidatëve së pari për faktin se duhet të kemi qëndrim neutral në kuptim të mos favorizimit të asnjë numri. E dyta, mendoj se është e rëndësishme për eventualisht zvogëlimin e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme për një kategori të fletëvotimit të pavlefshme për ata votues që e mbajnë mend vetëm numrin edhe shkojnë e votojnë vetëm kandidatin e subjektit politik me atë numër e jo edhe subjektin politik”, theksoi Rrustemi.

Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga LDK, tha se numri i subjekteve politike është mirë të jetë mbi 110.

“Konsideroj se është gjithsesi mirë të jetë mbi numrin 110, sepse zakonisht në sa palë zgjedhje i kemi minimumi katër apo pesë deputetë që hyjnë me numër mund të themi çka të duam ata mund të thonë se kur të zgjidhen kanë qenë meritorë dhe se populli po i do, por nuk është e vërtetë – është numër i caktuar që çdo herë votojnë”, tha Halimi.

Ndryshe, 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur ia mësyjnë Kuvendit. Të gjitha partitë politike kanë bërë publike listën e kandidatëve, me të cilët do t’i hyjnë garës për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Nga 110 kandidatë, më shumë se 30 prej tyre, në secilën listë, janë gra.