Kurti: Dialogun e udhëheq unë, Vjosa Osmani - kryetare e Kuvendit
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se përgjegjësitë për udhëheqjen e dialogut me Serbinë, i takojnë kryeministrit të ardhshëm.
Ai edhe një herë ka përsëritur se këto përgjegjësi nuk i takojnë kandidates së LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, pasi kryeministër pas zgjedhjeve të tetorit do të jetë ai, ndërsa Osmani - kryeparlamentare.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka qenë e gatshme për bashkëpunim, pasi frika ndaj PDK-së ua ‘ka mposhtur’ dëshirën për bashkëpunim me partinë që ai udhëheq.
“Unë besoj që kanë qenë të interesuar, por nuk kanë qenë të gatshëm, sepse frika ua ka mundur dëshirën. Se sa herë jemi takuar, interesim kishte, por gatishmëria mungonte. Madje, është evidente që më shumë kanë frikë nga Partia Demokratike e Kosovës, se sa dëshirë për Vetëvendosjen”, deklaroi Kurti.
Duke folur për dialogun me Serbinë në debatin “Fol hapur”, ai ka thënë se paraprakisht duhet të formohet një komision që i vlerëson 33 marrëveshjet e arritura.
Kurti ka përsëritur se përgjegjësitë për udhëheqjen e dialogut do t’i takojnë atij si kryeministër, derisa ka shtuar se rivalja e tij, Vjosa Osmani do të jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ai u zotua se gjatë qeverisjes së tij do të fillojë edhe dialogun me pakicën serbe në Kosovë, për çka tha se është edhe i nevojshëm.
Shteti i së drejtës, shteti zhvillimor dhe ai social, sipas Kurtit do të jenë edhe tri shtyllat kryesore për zhvillimin e vendit. Ai ka treguar se cilat do të jenë vendimet e para që do t’i marrë nëse zgjidhet kryeministër në garën e 6 tetorit.























