LDK: Punësimet e paligjshme në kohë fushate - abuzim me paranë publike
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dënon praktikën abuzive të koalicionit dhe Qeverisë në largim, për punësime të paligjshme në sektorin publik, në kohë fushate.
Informatat që vijnë nga institucionet dhe kompanitë publike tregojnë për punësime pa konkurs dhe pa kritere të qindra militantëve partiakë, me qëllim të përfitimeve politike në prag të zgjedhjeve, thuhet në komunikatën për media të kësaj partie.
LDK thotë se publikimet në media për rritje enorme të numrit të veteranëve të rrejshëm në kohë fushate, duhet të jenë alarm për institucionet ligjzbatuese, që të aktivizohen për të penguar abuzimin me taksat e qytetarëve.
LDK konsideron se koalicioni i Qeverisë në largim, duke parë humbjen e thellë në zgjedhje, po përdor metoda të paligjshme, siç janë punësimet në sektorin publik, për të përfituar politikisht, ndërsa iu bën thirrje monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje të rënda të procesit zgjedhor.
“Praktikat e punësimit në administratë janë keqpërdorim me paranë publike, shkelje e ligjit dhe shkelje e rregullave zgjedhore”, thekson LDK.
Lidhja Demokratike e Kosovës zotohet se me fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit, do të jetë gardiane e parasë dhe pasurisë publike dhe do t'i japë fund praktikave korruptive në punësime.























