Kelmendi: Partia “Fjala” do t’ua heqë politikanëve privilegjet
Pritjet dhe synimet e partisë ‘Fjala” në zgjedhjet e 6 tetorit ishin temë e bisedës në emisionin “Imazh” në RTK 1 me kryetarin e këtij subjekti, Gëzim Kelmendi.
Ai theksoi se subjekti i tij i ka bërë përgatitjet e duhura për këto zgjedhje dhe ndonëse llogariten si parti e vogël shpreson të kalojnë pragun zgjedhor dhe të hyjnë në parlament.
“Menjëherë pas 2017-s kur ishin zgjedhjet e fundit ne i kemi filluar përgatitjet, ngase koalicioni qeverisës edhe pse kishte numra nuk kishte guxim të ballafaqohej me tema të mëdha dhe e kemi ditur se kjo qeveri do të jetë afatshkurtër. Për këtë arsye qysh nga 2017-ta kemi qenë vigjilent dhe jemi përgatitur për ditën e zgjedhjeve me të cilën tash do të ballafaqohemi me 6 tetor. Edhe pse për ne qershori i vitit 2017 nuk ishte ashtu siç synuam, ne nuk u dorëzuam por punuam shumë dhe mund të them se jemi e vetmja parti politike, e cila pasi nuk ka arritur ta kalojë pragun ka vazhduar të punojë, derisa dihet se në të kaluarën shumë parti që nuk kanë arritur të hyjnë në parlament po thuajse e kanë shuar aktivitetin e tyre”, ka theksuar Kelmendi.
Ai është i bindur se tani janë shumë më të fortë se sa në vitin 2017 si në aspektin organizativ ashtu edhe me kuadro dhe bindje, derisa theksoi se si parti ishin të hapur për koalicion sidomos me partitë opozitare, por që nuk kishte interesim nga ana e tyre dhe kësisoj në zgjedhje do ta kërkojnë votën e qytetarëve si subjekt i vetëm.
Tutje Kelmendi u shpreh kundër privilegjeve që gëzojnë pushtetarët dhe deputetët në Kosovë dhe shprehur bindjen se me hyrjen e partisë së tij në qeverisje këto gjëra do të ndryshohen. “Unë nuk mund të pajtohem me këto privilegje që i kanë politikanët në Kosovë. Në asnjë vend të rajonit nuk ekzistojnë privilegje të tilla. Te ne ende ekziston ajo mendësia që politikani duhet të jetë i privilegjuar i popullit, por realisht politikani duhet të jetë shërbëtor i popullit. Ai e ka marrë një detyrë dhe le ta kryejë atë me përgjegjësi”, ka shtuar Kelmendi.
Ai është shprehur edhe kundër ndërtimit të autostradave, në mënyrë që t’i jepet prioritet punësimit të të rinjve. “Autostradat nuk duhet të jenë primare, por sekondare. Çka na duhet asfalti, kur s’kemi bukë për brezat e rinj. Kemi shumë universitet me studentë që përfundojnë studimet por që mbesin rrugëve”, ka thënë Kelmendi.























