Murati: LVV do ta zhdukë pabarazinë në politikat fiskale

Murati: LVV do ta zhdukë pabarazinë në politikat fiskale

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, gjatë debatit për politikat fiskale në RTK 1, ka thënë se për VV-në synim kryesor është rritja e barazisë apo ulja e pabarazisë së theksuar në politikat fiskale.

“Janë dy lloje të pabarazisë: Te qytetarët duhet të ulet pabarazia e padrejtë, e cila shkakton pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. Kush është milioner do të paguajë më shumë tatime se ai që jeton nga paga minimale”, ka thënë Murati.
 
Sa u përket bizneseve ai ka thënë nuk është se ka politika kushedi të disfavorshme për bizneset sepse tatimi në Kosovë është prej më të ulëtave në rajon.

“Problemi qëndron te zbatimi i drejtë i ligjit dhe të aspekti klientelist që zhvillon pushteti me disa biznese të afërta me të, ku disa biznese trajtohen më mirë e disa më keq, dikush paguan tatim e dikush s’paguan fare ose e fut mallin në Kosovë pa e doganuar apo e deklaron vlerën më të vogël”, ka shtuar Murati.

Sipas tij me këtë formë krijohet një pabarazi në mes të bizneseve, ku biznesi i ndershëm gjithmonë humb.

“Në këtë aspekt, LVV e ka për synim sigurimin e një terreni të barabartë për të gjithë, duke i eliminuar këto klientelizma dhe duke i trajtuar të gjitha bizneset në mënyrë të barabartë”, është shprehur tutje përfaqësuesi i LVV-së.