`Krusha` po vazhdon punën normalisht
BKT
Lajme

`Krusha` po vazhdon punën normalisht

Pajtim Çuni, Radio Kosova

Kooperativa bujqësore “Krusha” që u kaplua nga flakët dy javë më parë po vazhdon punën normalisht. Drejtoresha e kooperativës, Fahrije Hoti, ka thënë për Radio Kosovën se dëmet ishin të mëdha, por falë vendosmërisë së grave puna nuk është ndalur anjë moment. Punëtoret e kooperativës thonë se presin përkrahje institucionale.

I humbën më të dashurit e tyre në luftë, por nuk u dorëzuan. Gratë krushjane kështu vepruan edhe më 5 shtator, kur u dogj një pjesë e kooperativës bujqësore “Krusha”. Ganimete Hoti është njëra nga punëtore e kooperativës. Ajo tregon për radion tonë se pasi i’a vranë bashkëshortin në luftë, me punën e saj arriti t’i rris e shkolloj tre vajzat. Kjo nënë thotë se ajo dhe punëtoret tjera presin përkrahje institucionele, për sanimin e dëmeve.

“Atë ditë jemi tronditë shumë kur na u kall fabrika, por, meqë nuk na preki në njerëz jemi të kënaqura. Nëse kishin pas mundësi institucionet me na ndihmu do të ishte mirë, sepse ne i mbajmë familjet me këtë punë. Ja vlenë me na ndihmu, se krej ne jemi gra dhe për këtë i kisha lutë institucionet të na përkrahin”, tha ajo.

Në ditën që u dogj një pjesë e kooperativës, gratë po përgatisnin ajvar për eksport në Zvicërr, tregon Fahrije Hoti, drejtoreshë e kooperativës. Ajo thotë se edhe përkundër dëmeve të mëdha gratë nuk janë ndalur.

“Fati ka dashtë që të ndodhë edhe kjo tek grëtë e Krushës. Atë ditë kam pa një motiv të mëdh tek gratë. Edhe pse objekti ishte në atë gjendje, në mesditën e së enjtës, gratë pas shuarjes së zjarrit kanë fillu me punu. Ishte situatë e vështirë, pothuajse shumica e grave, me lotë në faqe punën e filluan me thirrjen se nuk duhet të ndalemi se ne i kemi rritur fëmijët me këtë punë”, pohoi Hoti.

Sipas vlerësimeve që kanë bërë institucionet, dëmi i shkaktuar nga zjarri ishte mbi 100 mijë euro. Pas vlerësimit të dëmit, edhe përkundër premtimeve, institucionet nuk akoma nuk kanë ndarë ndonjë ndihmë. Drejtoresha e kooperativës “Krusha”, Fahrije Hoti thotë se ndihma është e mirëseardhur, përderisa shton se aktualisht janë rreth 55 gra aktive në punë. Sipas Hotit, pothujse të gjitha gratë kanë humbur anëtar të familjes në luftën e fundit dhe në mesin e punëtoreve janë edhe 15 studente që kanë ndonjërin nga prindërit të vrarë a të zhdukur në luftë.


MË SHUME NGA Lajme