Ende nuk dihet nëse Kosova do të jetë pjesë e votimit për Interpol
Rrezarta Zekaj, Radio Kosova
Përderisa flitet për mundësinë e tërheqjes së Kosovës nga votimi në Asamblenë e përgjithshme të Interpolit, nga grupi punues për Interpol në kuadër të Ministrisë së punëve të jashtme, thonë se në këtë periudhë këto janë vetëm spekulime.
Ndërkohë njohësit politik në vend, thonë se do të ishte më e mirë tërheqja nga votimi dhe të ketë fokusim për njohje të Kosovës.
Ende nuk dihet nëse Republika e Kosovës do të jetë pjesë e votimit për Interpol në Asamblemë e Përgjithshme e cila mbahet në muajin tetor në Kili. kjo për shkak se zyrtarë të ministrisë së punëve të jashtme, konkretisht zëvendësministri në detyrë Anton Berisha e ka quajtur të ngutshëm aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Interpol. në një intervistë për TV dukagjini ai nuk e përjashton mundësinë e pezullimit të votimit po qe se rrethanat nuk janë të favorshme për Kosovën.
Por Astrit Zemaj sekretar Koordinues i Grupit Punues të Republikës së Kosovës për Interpol, deklarimet e fundit në media i quan spekulime. në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën ai thotë se “ në këtë periudhë të gjitha janë vetëm spekulime mediale. Kjo nënkupton se nuk ka ndonjë vendim për tërheqje apo shtyrje të aplikacionit për të cilin Grupi Punues për Interpol është njoftuar me shkrim” ka shkruar Zemaj.
Ai thotë se përderisa nuk ka ndonjë vendim tjetër, mbetet ne fuqi vendimi paraprak për aplikim të përcjellë në Interpol në muajin Janar të këtij viti.
Ndërkohë njohësi i cështjeve politike Ramush Tahiri i tha Radio Kosovës se më e arsyeshme do të ishte nxerrja e një Rezolute për shtete islamike e cila do të njihte pavarësinë e Ksoovës në bllok.
"Nk mendoj që është kohë e përshtatshme që Kosova të aplikojë për votim në Interpol. më e përshtatshme do të ishte që të nxjerrë një Rezolutë tek vendet islamike për pranim në bllok të shtetit të Kosovës sepse i ka argumentet, sepse tash 11 vite është shtet i pavarur dhe është faktor stabiliteti", tha ai.
Tahiri thotë se për anëtarësim në Interpol Kosova nuk i ka krijuar asnjë nga parakushtet në krahasim me periudhën kur ishte kërkesa para dy viteve:
"Nuk është mirë që Kosova vetëm të paraqitet dhe të humbas sepse Kosova nuk ka arritur ti ndërtoj argumentet ndërsa taksa ka ndikuar negativisht në sjelljen e Kosovës si subjekt ndërkombëtarë", tha ai.
Ndërkohë Asambleja e Përgjithshme e 88 –ta me radhë e Interpolit do të mbahet nga 15 deri me 18 tetor në Santiago të Kilit.























