Makolli: Mërgimtarëve t’u sqarohet procesi i votimit që mos t`u humbë vota
Nesër do të fillojë votimi i Diasporës për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Procesi i votimit të mërgatës ishte temë e debatit në emisionin “Imazh” në RTK 1, ku mysafirë ishin ish-ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli dhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së ka bërë të ditur se më 10 shtator ka përfunduar periudha e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës dhe sipas tij sivjet ka pasur numër më të madh të aplikuesve krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore.
“Shërbimi i votuesve në KQZ ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet të cilat kanë ardhur në adresë të KQZ-së. Sot ka qenë e planifikuar të fillojë votimi përmes postës por për shkak të volumit të madh të punëve është dashur edhe një ditë më tepër për Shërbimin e Votuesve, në mënyrë që të shqyrtohen të gjitha aplikacionet. Kësisoj, votimi përmes postës do të fillojë nesër dhe do të përfundojë më 4 tetor. Në bazë të raportit të Shërbimit Votues janë gjithsej 40 mijë e 313 aplikacione, prej të cilave janë aprovuar 35 mijë e 87 aplikacione si të rregullta, derisa janë refuzuar 5.226 aplikacione, të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara nga KQZ”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, ish-ministri Makolli ka theksuar se KQZ duhet t’i informojë sa ma qartë bashkatdhetarët tanë për këtë proces, ngase ndonëse afati i votimit do të zgjasë deri më 4 tetor, duke pasur parasysh se fletëvotimet dërgohen nëpërmjet fahut postal në KQZ, atëherë bashkatdhetarët tanë duhet ta kryejnë këtë proces qysh në ditët e para të këtij afati.
“Mendoj se KQZ përkundër punës së jashtëzakonshme që ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara edhe tash, megjithatë do të duhej të sqarojë për votuesit, sidomos këta nga Diaspora, sa më qartë afatet e sakta të votimit. Kur e them këtë e kam parasysh kur thuhet se mërgimtarët kanë të drejtë të votojnë deri më datën 4 tetor, ndërkaq data 4 tetor në fakt shënon përfundimin e dorëzimit të fundit pranë KQZ-së të fletëvotimeve. Kjo do të thotë se një mërgimtar i cili mund të votojë në Berlin më 4 tetor, nuk mund të arrijë fletëvotimi i tij në Kosovë më 4 tetor dhe rrjedhimisht vota e tij humb”, ka thënë Makolli.
Sipas tij partitë politike për fat të keq e kanë nevojën gjithmonë për votën e Diasporës, por në praktikë pothuajse nuk veprohet asgjë në drejtim të krijimit të kushteve më të m ira teknike për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Nuk mjafton që të themi se shtetasit e Republikës së Kosovës, në këtë rast edhe pjesëtarët e Diasporës kanë të drejtë të votojnë sepse atyre duhet t'u krijohen mundësi për t'i realizuar ato të drejta.
KQZ së paku për këta që kanë fituar të drejtën e votimit nga mërgata duhet t'ua shpjegojë qartë dy gjëra: e para që votimi fillon më 19 shtator por që afati i fundit për të qenë fletëvotimi i tyre fizikisht në zyrat e KQZ-së është data 4 tetor. Kjo i bien që nuk mund të votohet nga nesër deri më datën 4 tetor për shkak se kjo mund të na shkaktojë probleme. P.sh. ata që votojnë me datën 2 apo 3 tetor, nesër do të ankohen se vota e tyre nuk është marrë parasysh, prandaj duhet t'u sqarohet se deri më datën 4 tetor vota e tyre duhet të mbërrijë këtu, në mënyrë që ata ta kryejnë këtë proces më herët”, ka shtuar Makolli.























