Bashota kthehet nga Haga ku u intervistua si i dyshuar
Kryetari i Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, është kthyer sonte në orët e vona në Kosovë, pasi është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në Hagë.
Pas arritjes në aeroportin "Adem Jashari", ku është pritur nga shumë qytetarë, Bashota deklaroi se Gjykata Speciale i ka ofruar një marrëveshje e cila potencialisht, sipas tij, do të ishte e favorshme për të në këtë proces, por e dëmshme për procesin në të cilin ka kaluar UÇK-ja.
“Unë isha në Hagë dhe jam intervistuar dy ditë si i dyshuar, dhe jam përgjigjur në pyetjet të cilat kanë qenë të favorshme për mua”, ka thënë Bashota, transmeton Indeksonline.
“Por, ajo që më ka shqetësuar mua, një precedent është se atje më është ofruar një marrëveshje e cila do të ishte e favorshme për mua por që do të mund të dëmtonte kauzen e UÇK-së dhe të tjerët”, ka thënë Bashota.
Tutje, Bashota ka thënë se detajet tjera do t’i shpalosë pas konsultimit me avokatin e tij mbrojtës.























