RTK sot shënon 20 vjetorin e themelimit
Radio Televizioni i Kosovës (RTK) sot shënon 20 vjetorin e themelimit si transmetues publik.
RTK-ja është një nga institucionet më të rëndësishme, jo vetëm në aspektin medial, por edhe në aspektin e integrimit të të gjitha komuniteteve brenda vetes. Edhe ky përvjetor e gjen këtë medium publik me problemin e financimit i cili konsiderohet sfidë për RTK-në.
Kryetarja e deritashme e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, tha se Radio Televizioni i Kosovës për këto 20 vjet vazhdon të përballet me sfida.
“20-vjetori i RTK-së, RTK-në e gjen pa financim të qëndrueshëm, pa objekt dhe pa kushte adekuate për të gjithë punonjësit e RTK-së. Këto probleme nuk janë nga faji i RTK-së, por problemet rrjedhin pasi nuk ka pasur një gatishmëri të politikës për të zgjidhur këto probleme.”
Ajo tha se të gjitha këto probleme, vijnë si pasojë e mosmiratimit të ligjit për RTK-në.
“Ne e dimë që dy herë ka filluar draftimi i Ligjit të RTK-së dhe në dy mandatet e kaluara, ai Ligj nuk ka arritur të kalojë dhe të përmbyllë këto sfida më të cilat përballet RTK që nga themelimi. E sidomos që nga viti 2015 RTK nuk ka një financim të qëndrueshëm.”
Maliqi tha se klasa politike duhet ta trajtojë RTK-në si një aset kombëtar. Ajo fajësoi këtë klasë politike që sipas saj, nuk ka pasur vullnet për ta rregulluar cështjen e RTK-së.
“Nuk kemi parë një interesim dhe një vullnet nga klasa politike. Ligji është sjellë me muaj të tërë në tavolinat e Kuvendit të Kosovës dhe deputetët, që thirren në emër të demokracisë nuk kanë qenë në gjendje dhe nuk e kanë votuar ligjin e RTK-së, shumica për arsye personale dhe për arsye të ngushta, që për mua si qytetare e këtij vendi janë arsye të dhimbshme.”
Maliqi shprehu keqardhjen e saj që Kuvendi i kaluar e ka lënë RTK-në të bllokuar.
“Arsyeja pse po e quaj bllokadë është sepse përveç funksionim të pozitës së drejtorit të përgjithshëm, asnjë pozitë tjetër nuk është zgjedhur. Pra, nuk ka drejtor të Televizionit, nuk ka drejtor të Radios, shumë shpejt nuk do të ketë drejtor të RTK 2, nuk ka kryeredaktorë, stafi tjetër i menaxhmentit nuk ekziston, për arsye të ndërhyrjeve politike dhe të bllokadës që ia kanë bërë Bordit për të zgjedhur anëtarët e rinj të menaxhmentit. Një bllokadë e tillë është edhe në Bord, pasi nuk është arritur të zgjedhën anëtarët e rinj. Bordi funksionin juridikisht me gjashtë anëtarë dhe formalisht me pesë anëtarë.”
Megjithatë, Maliqi theksoi se RTK ka edhe të arritura, duke u zhvilluar në programe dhe teknologji.
“RTK është lider. Ka arritur të zhvillohet në aspektin programor dhe atë teknologjik. 20 vjet më parë, RTK ka nisur me dy orë program, 20 vjet pas RTK, sot ka katër kanale televizive, ka dy kanale të Radios, plus platformën online, që për çdo ditë po rritet. RTK është modeli më i mirë edhe i integrimit të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë. Kemi kanalin e dytë që i kushtohet komunitetit serb dhe funksionon shumë mirë. Gjithashtu, një hapësirë e madh iu jepet edhe komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë, bazuar në Ligjin e RTK-së.”
20 vite më parë misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë pati ftuar Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU) të vendosë dhe të menaxhojë një transmetues të pavarur publik në Kosovë. Më 19 shtator të vitit 1999 RTK-ja filloi transmetimin e një shërbimi 2-orësh televiziv analog satelitor. Në nëntor të atij viti misioni OSBE-së bëri transferimin e radio stacionit të ripërtërirë publik “Radio Prishtina” në RTK. Ajo u rilansua si “Radio Kosova”.
Në qershor të vitit 2001 u krijua formalisht RTK si transmetues i shërbimit publik me një Bord jopolitik të Drejtorëve. Të dy radio stacionet nisën audio transmetimin e drejtpërdrejtë në faqet e tyre te internetit. Në korrik të 2001-tës RTK zgjeroi transmetimin në shtatë orë. RTK-së iu dha pjesë financimi vjetor nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, në pritje të inicimit të parapagimit publik në vitin 2003.
Në vitin 2002 televizioni u zgjerua në transmetim më shumë se 15-orësh në ditë në tokësor dhe satelitor. Në fillim të vitit 2003 RTK shënoi lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit me EBU-në. Në qershor, u nënshkrua urdhëresa administrative e UNMIK-ut mbi zbatimin e parapagimit për RTK-në. Më 22 dhjetor të vitit 2003 RTK filloi me skemën e re programore 24 orëshe.
Viti 2005 veçohet edhe për nga përpjekjet e organizuara dhe intensive për reformën e shërbimit të lajmeve të RTK-së dhe avancimin e standardeve profesionale dhe etike të të gjitha segmenteve programore të kompanisë. Në këtë vit u lansua edhe edicioni i lajmeve për njerëzit me të meta në të dëgjuar, projekt ky i cili u realizua me përkrahjen e OSBE-së.
Ndërkohë, edhe 20 vite pas themeleimit çështja e financimit dhe pronës, ende mbetet sfidë për RTK-në. Në këtë kuadër, ende nuk është miratuar ligji i RTK-së që do plotësonte nevojat e transmetuesit publik dhe do të garantonte një financim adekuat.























