Jablanoviqi: Beogradi ka dashur të na keqpërdorë
BKT
Lajme

Jablanoviqi: Beogradi ka dashur të na keqpërdorë

RTKlive

Lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, tha se partia do të tentojë të hyjë në parlament, por "jo me çdo kusht edhe në qeveri, siç bën Lista Serbe (SL)".

I ftuar në Programin e Mëngjesit në RTK2, ai tha se Partia e Serbëve të Kosovës karakterizohet nga një politikë e pavarësisë në marrjen e vendimeve të rëndësishme për popullin serb në Kosovë. Ai shtoi se bashkëpunimi me Beogradin zyrtar nuk duhet të braktiset, por duhet të ketë kufij të caktuar, sepse "jo gjithçka që vjen nga Beogradi, si urdhër ose këshillë, është e mirë dhe e zbatueshme në terren".

"Zëri ynë, zëri i serbëve autentikë të Kosovës, duhet të dëgjohet më shumë. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani, kjo nuk është e mundur përmes Listës Serbe, sepse LS vetëm dëgjon urdhërat e Beogradit pa i dhënë vetes të drejtën të pranojë se Beogradi mund të jetë gabim ndonjëherë. Politika jonë bazohet në nevojat reale të serbëve, të cilat janë shumë të ngjashme me problemet e shumicës së qytetarëve në Kosovë, përfshirë shqiptarët. Ne do të punojmë para së gjithash për të zgjidhur problemet e komunitetit tonë ".

Jablanoviq kujtoi se Lista Serbe, në të cilën dikur ka qenë anëtar edhe vetë, u themelua në 2013 në marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Serbisë dhe se qëllim të themelimit të atëhershëm kishte mundësinë që serbët nga Kosova të veprojnë politikisht në marrëveshje me Beogradin, e jo të jenë "dëgjues" të Beogradit ”

"Beogradi atëherë na premtoi se do të jetë mbështetja jonë në çdo aspekt. Megjithatë, na mashtroi. Beogradi dëshironte të na përdorte si monedhë për të shlyer dhe rregulluar detyrimet e veta. Në momentin kur e kuptuam këtë, ngadalë filluam ta kundërshtonim një ide të tillë”, tha Jabllanoviq.

Ai theksoi se Lista Serbe kishte zgjedhur t’i "zbatojë verbërisht urdhërat e Beogradit". Ai tha se e ndjen Beogradin si kryeqytetin dhe Serbinë si shtetin e tij, por shtoi se nuk pranon që “gjithçka që vjen nga politika e Beogradit, është në interes të të gjithë nesh".

Ai vlerësoi se fillimi i fushatës zgjedhore përpara afatit ligjor tregon nervozizmin e Listës Serbe, e cila, siç thekson ai, parandjen se në Kosovë tani nuk është momenti i duhur për ta.

"Arsyeja është se ata kanë abuzuar me pritjet e qytetarëve dhe kanë filluar një fushatë negative. Ne nuk e kemi filluar zyrtarisht fushatën, jemi në pritje të afatit zyrtar. Kemi disa aktivitete, por jemi larg nga ajo që do të kemi kur të jetë fillimi zyrtar i fushatës më 25 shtator, "tha Jablanoviq.

I pyetur të komentojë pretendimet e PLS (Partisë Liberale Serbe) për pushimin nga puna të anëtarëve të tyre thjesht sepse ata nuk janë pjesë e LS, Jablanoviq tha se " atë duhet ta komentojë prokuroria", duke shtuar se presione të tilla sikur anëtarëve të Partisë Liberale Serbe po u bëhen edhe anëtarëve të partisë së tij. Madje, theksoi se trendi më i i ri i kërcënimeve nga ana e Listës Serbe është ai se në ditën e zgjedhjeve do të ketë mikrokamera të vendosura fshehtë në vendvotime, për të kuptuar se kush nuk do ta votojë Listën Serbe, por që sipas Jablanoviqit, kjo është një gënjeshtër e tyre e radhës dhe “qytetarët në asnjë mënyrë nuk duhen të besojnë trillime të tilla”.

 Lidhur me vendimin e KQZ-së për të votuar vetëm me dokumentet e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, ai vlerëson se ky është "dështim direkt i Listës Serbe, sepse SL ishte subjekti i vetëm serb, që kishte një përfaqësues në KQZ në emër të këtij komuniteti, i cili padyshim nuk ishte në gjendje të luftonte për këtë drejtë”.

Ai e uroi Nenad Rashiqin, kandidatin serb për kryeministër, duke thënë se do të dëshironte që Qeveria e Kosovës të drejtohej nga një serb, por i vetëdijshëm se kjo dëshirë është ireale tani.

Formimi i një qeverie, thekson ai, së pari do të varet nga rezultatet e arritura nga partitë shqiptare në zgjedhje.

Kandidimin e babait dhe gruas së tij në listën e partisë të cilën e udhëheq, e ka arsyetuar si “vlerë tradicionale dhe familjare”.


MË SHUME NGA Lajme