Osmani: Dialogun do ta drejtojë në mënyrë transparente
Kandidatja e nominuar për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), Vjosa Osmani gjatë bashkëbisedimit drejtpërdrejt me qytetarë në platformën e KDI-së me temën “Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha se si kryeministre me ekipin e saj do ta drejtojë procesin e dialogut në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim të afërt me partitë në parlament.
Vijat e kuqe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sipas saj është çështja e kufijve dhe sovranitetit, derisa tha se presidenti i vendit në këtë proces do të ketë vetëm një rol.
Osmani për zgjedhjet e 6 tetorit, tha se teza e korrigjimit të kufijve është e rrezikshme. Ajo siguroi se kufijtë janë të përcaktuar që nga shpallja e pavarësisë, 2008.
“Në momentin që Qeveria do të udhëhiqet nga unë, çështja e kufijve, e sovranitetit, absolutisht nuk do të arrij asnjë herë në tavolinën e Brukselit dhe në asnjë proces ku unë do të jem prezent. Presidenti do ta ketë vetëm një rol, dhe ai do të jetë roli në dekretimin final ceremonial të marrëveshjes e cila miratohet në parlamentin e Kosovës. Pra, nuk do të ketë rol tjetër, sepse Kushtetuta, nuk i përcakton rol tjetër”, theksoi Osmani.
E pyetur për rolin e SHBA-së në procesin e dialogut, Osmani tha se ky rol nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i natyrshëm.
Ajo tha se ky proces do të koordinohet edhe me vendet e BE-së, veçanërisht me Gjermaninë.
"Roli shumë i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut nuk është vetëm i nevojshëm, por është ekzistencial. Për LDK-në, për Kosovën është ekzistencial. Ne patjetër duhet ta kemi një rol të fuqishëm, një angazhim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara dhe besojmë po ashtu që çdo hap të cilin do ta marrim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duhet ta koordinojmë me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, në radhë të parë me Gjermaninë”, deklaroi Osmani.























