Gashi ndalon përdorimin e veturave zyrtare në fushatë për stafin politik
Ministri në largimi Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave të tij, të mbështetura në ligj, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të automjeteve zyrtare gjatë 24 orëve për stafin politik.
Në njoftim thuhet se obligohen zëvendësministrat, këshilltarët dhe stafi tjetër i kabinetit që automjetet zyrtare të cilat i kanë pasur në shfrytëzim 24 orë t’i dorëzojnë dhe t’i kthejnë në parkingun e MKRS-së, duke shfuqizuar çdo vendim të mëhershëm.

Gashi ka thënë se përmes këtij vendimi synohet të parandalohet keqpërdorimi i automjeteve në fushatën zgjedhore, të ruhet imazhi i institucionit dhe të ketë zbatueshmëri të plotë të legjislacionit, njëkohësisht dëshiron të krijoj një praktikë të re institucionale për të të gjithë pasardhësit e tij politik.
“Tashmë kur fillon fushata dhe rritet qarkullimi dhe kontaktimi e komunikimi me sa më shumë qytetarë, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të veturave zyrtare në kohë fushate zgjedhjesh, kam marr këtë vendim i cili përpos që do të reduktojë shpenzimet e ministrisë, do të ruajë imazhin jo vetëm të institucionit por edhe të personave që janë përgjegjës për veturat zyrtare”, ka thënë ai.
Një veprim i këtillë, është cilësuar nga ministri si hapi i parë që ka ndërmarrë ndonjë ministër në të mirë të institucioneve dhe të ndalimit të keqpërdorimeve eventuale.























