Bulliqi: Deri tash ministria e mjedisit është llogaritur si me qira
Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, në debatin e sotëm në RTK 1 për ambientin dhe mjedisin, ka theksuar se këtë sektor të gjitha qeveritë e pasluftës e kanë trajtuar si një ministri me qira.
“E dëgjova me vëmendje dy ish-ministrat, njëri ende në detyrë. Lëvizja Vetëvendosje pas datës 6 tetor kur do ta marrë pushtetin këtij dikasteri do t’i kushtojë rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh faktin se deri më tani këtë ministri të gjitha qeveritë e pasluftës e kanë llogaritë si një ministri me qira dhe hajt t’ua lëmë në dorë le të merret kushdo, duke marrë parasysh problemet e mëdha që kanë ekzistuar”, ka theksuar Bulliqi.
Ai tutje tha se e dëgjoi më vëmendje ish-ministrin Matoshi duke folur për të arriturat e kësaj ministrie, por tha se kjo ministri në fakt është kthyer në një zyre të shpronësimeve.
“Faktikisht kjo ministri është kthyer në zyre të shpronësimeve në forma të ndryshme. Në vitin 2018 kjo ministri ka shpenzuar për mjedisin 16 milionë euro, edhe pse me kornizat buxhetore që tash po dalin që janë të rrejshme është paraparë të shpenzohen mbi 87 milionë euro. D.m.th kjo shumë që është paraparë është realizuar me një shifër shumë të vogël, gjë që dëshmon sa rëndësi i është kushtuar ruajtjes së ambientit dhe mjedisit në vendin tonë”, ka thënë Bulliqi.
Ai ka thënë se faktikisht në vitin 2017 janë shpenzuar vetëm 9.9 milionë euro për ministrinë e mjedisit dhe pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë shpenzuar për shpronësime, derisa në vitin 2018 janë ndarë vetëm 2.2 milionë euro për mjedisin.
“Faktorët kryesor të ndotjes janë lëndët djegëse si qymyri, pastaj burim tjetër janë makinat e vjetruara që importohen nga shtetet e ndryshme. Sivjet u punua diçka për rregullimin e filtrave të termocentralit A, por e kemi edhe Kosovën B që është vërtet është një dinozaur i ndotjes”, ka nënvizuar Bulliqi.























