Pantina: Resurset e mangëta të ujit janë problem për mjedisin
BKT
Lajme

Pantina: Resurset e mangëta të ujit janë problem për mjedisin

Përfaqësuesja e koalicionit AAK-PSD, Shqipe Pantina, ka theksuar se krahas problemit me ndotjen e ajrit, një tjetër shqetësim për qytetarët e vendit mbetet mungesa e resurseve të ujit.

“Deri më tash u fol vetëm për një aspekt të problemeve mjedisore që është ajri, gjë për të cilën unë pajtohem sepse kemi një numër të ndotësve. Megjithatë, ne kemi probleme të mëdha, sidomos me ujin. Kemi resurse të mangëta të ujit, kemi pak lumenj dhe pothuajse asnjë liqen natyror. Edhe ato liqene që i kemi janë artificial dhe kryesisht i përdorim për ujë të pijshëm. Pra, kemi mungesë dhe ne ndikojmë në ndotjen e lumenjve me hedhjen e mbeturinave, një shkatërrim që i bëjmë këtyre lumenjve është me zhavorr dhe degradimin e shtratit të lumenjve. Këtu bëhet një lloj krimi ekonomik dhe gjykatat nuk e kanë kryer punën e tyre”, ka theksuar Pantina.

Ajo tutje ka thënë se para se të hyjë në politikë si aktiviste e shoqërisë civile është marrë shumë me mbrojtjen e lumenjve dhe ka pasur raste kur janë denoncuar në gjykata kompanitë që marrin zhavorr në lumenj, por sipas saj ato kompani ose janë gjobitur pak ose fare.

“Po ashtu, pajtohem se buxheti i kësaj ministrie kryesisht shkon për shpronësim, derisa shqetësuese në ndotjen e ambientit përveç termocentraleve janë edhe mbetjet e therrtoreve dhe nuk ka trajtim të tyre, pastaj qeset dhe shishet plastike”, ka shtuar Pantina.


MË SHUME NGA Lajme