Vëzhguesit e BE-së vizituan RTK-në
Drejtori gjeneral i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati priti në takim një pjesë të ekipit të vëzhguesve të zgjedhjeve të BE-së që kryesohej nga analisti Pietro Tesfamariam.
Vëzhguesit e BE-së u interesuan për planin dhe angazhimin e mediumit publik për mbulimin e fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve në Kosovë që do të mbahen me 6 tetor.
Drejtori gjeneral Ngadhnjim Kastrati, i informoi vëzhguesit e zgjedhjeve që RTK do ta mbulojë fushatën dhe zgjedhjet duke respektuar standardet profesionale të informimit të drejtë, hapësirës së barabartë për të gjitha subjektet politike garuese, duke përmbushur kështu misionin që ka transmetuesit publik.
Rikujtojmë se RTK në zgjedhjet e fundit të vitit 2017, në raportin e misionit të vëzhguesve të zgjedhjeve të BE-së është renditur si mediumi që ka qenë më i balancuari në shpalosjen e platformave të partive politike garuese në zgjedhje.
























