Analistët i vlerësojnë të pandershme aderimet para zgjedhjeve
Edhe në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, ashtu sikurse në zgjedhjet e kaluara, personalitete të ndryshme kanë aderuar në subjekte politike.
Lëvizjet e tilla, analistët i krahasojnë me ato të futbollit, gjë që sipas tyre i bëjnë jolojal ndaj subjektit por edhe ndaj programit politik. Përmes aderimeve, njerëzit po shiten ose po huazohen, deklarojnë për KosovaPress analistët çështjeve politike.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se aderime të tilla nuk janë të ndershme, pasi që ndodhin në kohë fushate.
Për politologun Ramush Tahiri përmes aderimeve, njerëzit po shiten ose po huazohen. Për të, arsyet e aderimeve politike janë të ndryshme, e si rrjedhojë edhe rezultati i tyre, e që kryesisht thotë të jetë një korrelacion i përbashkët me dobi të dyanshme.
E ajo që duket keq në këtë punë, sipas Tahirit, është ajo se politika shihet të jetë mbi gjithçka. Sipas tij, është shumë më mirë që të ketë më shumë njerëz jashtë politikës, sesa në politikë.
"D.m.th i bie që pa qenë në politikë nuk mund të bësh asnjë veprimtari tjetër. Duket keq po ashtu sepse duket sikur njerëzit po shiten apo po tjuasohen sepse ne si qytetarë kemi qef t'i shohim njerëzit e pavarur, që e shprehin mendimin e vet lirshëm, që nuk i nënshtrohen një nomenklature partiake dhe që janë të suksesshëm në profesion pavarësisht politikës apo shtetit. Politika dhe shteti duhet të krijojnë kushte të barabarta që secili njeri të funksionojë në fushëveprimin e vet", thotë Tahiri.
E për ata që kalojnë nga një subjekt në tjetrin, Tahiri konsideron se lëvizjet e tilla nuk bartin ndonjë vlerë.
"Njerëzit që kanë bindje të caktuara politike dhe që e përqafojnë programin e një partie politike këtë punë do të duhej ta bënin më herët, për të qenë më të informuar me programin e partisë. për këtë arsye aderimi në parti politike mua më duket një veprim jo mjaft i ndershëm", shton Tahiri.
Edhe analisti politik, Rrahman Paçarizi, thotë se aderimi në prag të zgjedhjeve është i pasinqertë.
"Njerëzit që kanë bindje të caktuara politike dhe që e përqafojnë programin e një partie politike këtë punë do të duhej ta bënin më herët, për të qenë më të informuar me programin e partisë. për këtë arsye aderimi në parti politike mua më duket një veprim jo mjaft i ndershëm", thekson Paçarizi.
E për ata që kanë ndërruar subjektet politike, Paçarizi thotë se janë mercenarë politik që synojnë të shijojnë privilegjet e forcave politike.
"Këta persona janë mercenarë politikë. Njerëz të cilët synojnë t'i shijojnë privilegjet e forcave politike, por nuk janë lojal të partive të caktuara e rrjedhimisht as të programeve politike. Njerëzit e tillë nuk besoj që u duhen partive politike. Ata zakonisht shkojnë ku ka nevojë njerëz për kuadro, ku partitë nuk mund t'i mbushin listat dhe për të mos marrë njerëz anonim i marrin njerëz që në fakt janë shumë të konsumuar dhe për me thënë shkurt e shqip nuk kanë fytyrë të dalin para elektoratit", shton Paçarizi.
E njohësi i aktualitetit, Rasim Alija bënë një krahasim interesant për aderimet. Aderimet e profesorëve, ekonomistëve, analistëve e artistëve, sipas tij, ngjasojnë me futbollin.
Ai thekson se mbetet të shihet se sa do t’i ndihmojnë aderimet subjekteve politike, pasi sipas tij, jo rrallëherë lëvizjet e tilla kanë sjellë humbje të votave në vend të votave të reja.
"Janë dy parakushte, e para mënyra e aderimeve dhe e dyta cilësia e këtyre aderimeve.
Te parakushti i parë e kemi parë që ka qenë një fushatë si në futboll, një fushatë kalimi prej një subjekti në një subjekt tjetër, derisa parakushti i dytë cilësia. ka emra të mirë që janë pjesë e listave, por mbetet të shohim se sa këto figura do të arrijnë të sjellin vota.
E kemi parë edhe në të kaluarën se aderimet e tilla më shumë kanë humbur vota të vjetra se sa që kanë sjellë vota të reja", thekson Alija.
Ndryshe, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke filluar nga 25 shtatori. Ndërsa më 6 tetor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare..























