Osmani adreson kritika për kundërkandidatët e saj
BKT
Lajme

Osmani adreson kritika për kundërkandidatët e saj

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë në tubimin elektoral në Klinë, se me gjithë përpjekjet e disa partive për të blerë vota, nuk ka para që e blen vullnetin e qytetarëve të Kosovës të cilët, sipas saj, kanë vendosur t’i besojnë LDK-së në fitoren e saj më 6 tetor.

“Ne duhet të jemi vigjilent që këtë vullnet kaq të qartë të qytetarëve të Kosovës për ta përkrahur LDK-në ta mbrojmë. Duhet ta mbrojmë me çdo kusht, sepse ka parti që mendojnë se mund ta blejnë vullnetin e qytetarëve. Ka ardhur koha me ju thanë që nuk ka para që e blen këtë vullnet. Nuk ka asnjë kërcënim prej tyre që e blen dhe e ndalë këtë vullnet. Nuk ka asgjë dhe asnjeri që mundet me e ndal fitoren e LDK-së”.

Ajo ka adresuar kritika për kundërkandidatët e saj të cilët në këtë fushatë zgjedhore po flasin për vizion europian.

“Ne nuk flasim në një anë për vizion europian dhe në anën tjetër të lejojmë që t’i kidnapojnë qytetarë të shteteve tjera në shtetin tonë. Ne nuk lejojmë që në një anë të flitet për vizion europian, e me u leju me u vjedh dhomat e dëshmive në polici, me leju që qeveria jonë me qenë çdo ditë në televizion për skandale korruptive – ato nuk janë vlera europiane”.

“Vjedhja e shtëpisë tënde nuk është vlerë europiane. Abuzimi i shtëpisë tënde nuk është sepse Kosova është shtëpia jonë, keqpërdorimi i shtëpisë tënde nuk është vlerë europiane”, ka thënë Osmani duke i ftuar klinasit që mos ta rrezikojnë shtetin duke e lënë atë në duart e partive të tjera.


MË SHUME NGA Lajme