Veseli: Sa më e fortë është PDK-ja, aq më e fortë është Kosova
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka mbajtur një tubim në Zhur të Prizrenit, ku edhe ka kërkuar votën e qytetarëve atje.
Në një tubim me elektoratin e tij, Veseli tha se Prizreni për partinë që ai e udhëheq, është një nga degët më të veçanta.
Aty Veseli premtoi qasje në tokat bujqësore, rregullimin e urës dhe të ujësjellësit.
Ai ka ftuar banorët e Zhurit dhe të Prizrenit që votojnë për PDK-në, pasi sipas tij, në këtë mënyrë këta të fundit votojnë për vetveten, për konceptin e ndërmarrësisë dhe për konceptin e Kosovës së integruar në Bashkimin Evropian.
“Kushdo që është për ekonominë e dijes, ndërmarrësisë, prodhimit të qëndrueshëm, kushdo që është për luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit është me Partinë Demokratike të Kosovës dhe kemi me qenë bashkë për 4 vitet e ardhshme. Përndryshe, nuk ka perspektivë Kosova me izolim, nuk ka perspektivë Kosova duke u ndarë me njëri-tjetrin, me ecë përpara... Po mundohemi t’i çojmë bashkë përpara ato ideale të cilat i kanë pasur ata që kanë rënë në altarin e lirisë shumë më herët. Dhe, kryetar, ju jeni bastion i PDK-së, nuk është ky premtim, është obligim, po ua jap fjalën, edhe ura, edhe ujësjellësi, na kanë mbet disa fshatra këtu, Bërnica, disa nuk po kanë qasje në tokat e tyre bujqësore, po u jap fjalën kam për t’i kryer një e nga një”, tha ai.
Pretendenti për kryeministër u shpreh se me PDK-në, forcohet Kosova e dobësohet Serbia.
“Me 6 tetor ju ftoj, ju dini me qenë bashkë, ju keni qenë bashkë gjithmonë, mos përkrahni opsione që ndajnë e që shajnë, që përçajnë. Përkrahni opsionet që çojnë përpara por edhe bashkojnë popullin e Kosovës. Sa më të bashkuar jemi, më shumë kemi me pas sukses, kështu që më 6 tetor votoni numrin 112, votone PDK-në sepse sa më e fortë është PDK, aq më e fortë është Kosova, e sa më e fortë është Kosova, aq më e dobët është Serbia”, u shpreh ai.
Kryetari i degës së PDK-së në Zhur, Bedri Hoxhaj, tha se Zhuri me rrethinë kanë qenë gjithmonë pro Partisë Demokratike.
Në emër të banorëve të këtij fshati, Hoxhaj tha se një problem jetik që i ka përcjell tash e sa kohë është mungesa e kapacitetit të ujit të pijes, për çka u shpreh optimist se me PDK-në do të zgjidhet kjo çështje.























