Kosova pjesë e diskutimit për tokën në Koren e Jugut
Drejtues të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të shoqëruar nga bashkëpunëtorë nga fusha e kadastrës dhe teknologjisë së informacionit, ka përfunduar vizitën pesëditore në Republika e Koresë.
Sipas ngjencisë, qëllimi i qëndrimit në Kore ishte participimi në konferencën ndërkombëtarë kushtuar krijimit të politikave dhe ambienteve të gjelbra si pjesë e administrimit të tokës, “Ditët e inovacionit të gjelbër në Kore”.
Në kuadër të aktiviteteve përveç atyre të ndërlidhura me konferencën, ekspertët e AKK-së kishin mundësi të mbajnë takime me prijës të institucioneve të interesit nga fusha e kadastrës, administrimit të tokës, infrastrukturës së të dhënave hapësinore, e-qeverisjes e ngjashëm.
“Në mesin e takimeve më të rëndësishme ishin ato me institucionin homolog në fushën e kadastrës, Agjencia për mirëmbajtjen e Regjistrave Pronësor dhe për Kadastër (LX), me Agjencinë Shtetërore për Informacione Hapësinore, Agjencinë Shtetërore për e-Qeverisje si dhe Agjencinë Shtetërore për Banim dhe Tokë. Të gjitha këto takime, pos për prezantime të përgjithshme të aktiviteteve të ndërsjella, u shfrytëzuan edhe për vendosjen e bazave për një bashkëpunim konkret në të ardhmen, përfitimet nga i cili bashkëpunim nuk do të ishin vetëm të përveçme për AKK-në, por të përgjithshme për shumicën e institucioneve në fushëveprimin e të cilëve bie mbrojtja e ambientit dhe krijimi i politikave të gjelbra”, thuhet në komunikatën e Agjencisë.
Po ashtu, kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti kishte edhe një takim të rëndësishëm me udhëheqësin e Njësisë së Bankës Botërore për Administrim të Tokës dhe Infrastrukturë të të Dhënave Hapësinore me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit intensiv e disa vjeçar mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Bankës Botërore.
Përndryshe në konferencën e organizuara nga Banka Botërore, morën pjesë përfaqësues nga dhjetëra institucione nga e tërë bota, me mbi 200 pjesëmarrës.























