Krasniqi: Raportet me Amerikën të dëmtuara
Memli Krasniqi nga PDK-ja, duke folur për taksën, ka thënë se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të dëmtuara.
Madje, ai në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka deklaruar se kushdo që thotë ndryshe nuk po e thotë të vërtetën.
“Ne jemi një shtet europian dhe krejt fokusi i perspektivës së ardhshme të Kosovës duhet me qenë integrimi në familjen europiane. Poashtu ne e dimë që pa raporte të fuqishme dhe stabile me SHBA-të, Kosova nuk mund të ketë sukses, bile edhe si komb shqiptar kurrë nuk kemi pasë sukses pa e pasë mbështetjen e SHBA-ve”.
“Sot raportet tona me SHBA-të janë të dëmtuara, kush thotë ndryshe – rrenë. Krejt e dinë në politikë. Raportet e Kosovës me Amerikën janë të dëmtuara për shkak të sjelljes së kësaj qeverie”.
Krasniqi e ka përmendur edhe vizitën e fundit të kryeministrit në largim Ramush Haradinajt në Amerikë duke thënë se kjo tregon më së miri se si janë raportet e Kosovës me këtë shtet.
“Ne sapo e patëm kryeministrin në Amerikë, kë e ka takuar që ka qëndruar tri ditë? E ka takuar vetëm Matthew Palmer që tashmë është njeriu që është përfaqësues i Amerikës dhe Shtëpisë së Bardhë këtu”.
“Por, ne nuk jemi më në kohën kur jemi takuar me Sekretarin e Shtetit dhe as me zëvendësit e Sekretarit të Shtetit”.
Ai ka deklaruar se deri vonë qasja për këtë temë ka qenë shumë e gabuar.
“Nuk mundemi, sepse as në traditën tonë politike dhe kombëtare, që t’ja kthejmë shpinën miqve, aq më shumë miqve që na kanë ndihmuar në kohërat më të rënda”.
“Zgjedhja për këtë qeveri është e thjeshtë. A duam të kemi qeveri që është e afruar me SHBA-të, qeveri që e rikuperon dhe forcon raportin me Amerikën për t’i arritur interesat e Kosovës apo duam të kemi qeveri të izolimit?”.
Madje, Krasniqi edhe ka thumbuar kandidatët e tjerë për kryeministër.
“Qysh mund me t’i ndreqë raportet me Amerikën dikush që nuk mund të marrë vizë të Amerikës? Qysh mund të lejojë sot Kosova ta konsiderojë ta ketë kryeministër Albin Kurtin që vizë për Amerikë nuk mund të marrë?”.
“Qysh mund Isa Mustafa të na i ndreqë raportet me Amerikën kur nënkryetarit të Amerikës Joe Biden nuk ka qenë në gjendje t’ia mbajë fjalën për Demarkacionin? Qysh mund Vjosa Osmani me qenë kryeministre kur e ka refuzuar kërkesën e Amerikës për Demarkacionin, ndërsa një vit më vonë e ka votuar të njëjtin”.
“Edhe është Kadri Veseli një njeri që tërë jetën ka qenë i lidhur me Amerikën”.























