Heldt: Gjermania vazhdon të punojë me ngulm përkrah Kosovës
BKT
Lajme

Heldt: Gjermania vazhdon të punojë me ngulm përkrah Kosovës

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shënuar sot Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Ambasadori Christian Heldt ka pritur sot liderë institucional e politik, njerëz nga arti e kultura, biznesi e shoqëria civile për të shënuar këtë ngjarje të cilën e ka konsideruar si shumë të rëndësishme për Gjermaninë.

Në fjalën e tij, ambasadori gjerman tha se ky vit shënon përvjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, që e quajti një prej momenteve më të gëzueshme në historinë gjermane që siç tha ai, kuptimi i saj shkon përtej Gjermanisë Lindore.

Christian Heldt foli edhe për angazhimin e gjermanëve në Kosovë, ku tha se tashmë shënon 20 vjet.

Sipas tij, Gjermania vazhdon të punojë me ngulm përkrah Kosovës.

Duke kujtuar një prej ngjarjeve më të mëdha të Gjermanisë, rrëzimin e Murtit të Berlinit, ambasadori Heldt tha se këtë përvjetor do ta shënojnë me një sërë aktivitetesh përcjellëse edhe në Kosovë.

Ai tha se çdo gjë ndodhi 30 vjet më parë me demonstratën e parë të madhe që paralajmëroi kthesën që po vinte.

Sipas tij, mbi të gjitha, ishte një paralajmërim i njerëzve të guximshëm, meqë siç tha ai, askush nuk e kishte paraparë që një ditë njerëzit do të ngopeshin me degradimin e kushteve të jetesës dhe mungesën e lirisë së përditshme.

Ai tha se njerëzit luftuan për demokraci të vërtetë dhe disa muaj më vonë, në mars të vitit 1990 u mbajtën zgjedhjet e para vërtetë demokratike.

Ai përmendi kancelaren gjermane Angela Merkel, ku tha kjo ishte koha kur një shkencëtare e re mori përsipër pozitën e saj të parë politike si zëvendës-zëdhënëse e qeverisë së parë të zgjedhur në zgjedhjet e lira.

Ambasadori gjerman në Kosovë tha se 30 vjet më parë ndodhi një histori mahnitëse e cila u zhvillua duke u shndërruar në një ndryshim të vërtetë në mbarë Europën Qendrore dhe Lindore.

Ai theksoi se u mbesin borxh qytetarëve të guximshëm të cilët i mbajtën lartë vlerat duke luftuar paqësisht për të drejtat e tyre, për liri dhe demokraci..


MË SHUME NGA Lajme