12:19 / 04.10.2019
Shkrimtari Mario Vargas Llosa nderohet me çmim prestigjioz letrar
Shkrimtari peruan, Mario Vargas Llosa, u nderua me çmimin prestigjioz për letërsi, “Château La Tour Carnet”, i krijuar në vitin 2017 nga sipërmarrësi Bernard Magrez, pronar i më shumë se 40 kështjellave në botë.
Çmimi që do t’i jepet autorit të veprës “Teto Xhulia dhe shkarravitësi” përfshin edhe shumën e 20 mijë eurove.
Fituesi i Nobelit për Letërsi në vitin 2010, do të marrë gjithashtu, një botim origjinal të një kopje të rrallë e të bukur të veprës “Madame Bovary” që daton në vitin 1867, ku paraqitet një dedikim me autograf nga Gustave Flaubert për mbrojtësin e tij Alfred Guérard. /atsh/























