GIZ certifikon 200 persona si trajnerë brenda kompanive
BKT
Lajme

GIZ certifikon 200 persona si trajnerë brenda kompanive

Për arsimin dhe aftësimin profesional duhet përkrahje më e madhe. Kështu u tha në konferencën e organizuar sot nga organizata gjermane GIZ, me temën “Arsimi dhe aftësimi profesional”.

Në kuadër të kësaj konference u mbajt edhe paneli diskutimi dhe është bërë shpërndarja e certifikatave për 200 pjesëmarrësit e kualifikuar si trajnerë brenda kompanive.

Në emër të Ambasadës gjermane në Kosovë, Anja Becky tha se i takon arsimit dhe aftësimit profesional Kosova, përkrahur nga GIZ, ka bërë  disa përparime.

Sipas tij, kompanitë private në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë që të investojnë në burimet e tyre sa i përket arsimit dhe aftësimit profesional.

Ndërsa, Valbona Fetiu-Mjeku nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme nga institucionet përgjegjëse për arsimin dhe aftësimin profesional.

Ajo iu bëri thirrje bizneseve vendore që nxënësve të certifikuar në arsimin dhe aftësimin profesional t’u japin më shumë hapësirë në bizneset e tyre.

Udhëheqësi i njërit nga projekteve të organizatës gjermane, Klaus Bader Labarre tha se GIZ përmes projekteve të veta ka parë vullnetin e sektorit privat për të qenë aktiv në arsimin dhe aftësimin profesional te të rinjtë.

Sipas tij, përmes projektit “Rinia” janë trajnuar 200 persona prej 20 kompanive të ndryshme. 

Aktiviteti për trajnimin e 200 personave u organizua nga Projekti “Rinia, punësimi dhe aftësimi profesional” përmes organizatës gjermane GIZ në emër të Qeverisë gjermane në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).


MË SHUME NGA Lajme