Kurti: Grupet punuese LVV-LDK, pritet të takohen javën e ardhshme
BKT
Lajme

Kurti: Grupet punuese LVV-LDK, pritet të takohen javën e ardhshme

​Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mëngjesin e së dielës e ka ngrënë së bashku me përfaqësuesin e koalicionit serbë në Kosovë,”Sloboda”, Nenad Rashiq.

Pas takimi mbi një orësh, Kurti shprehu vullnetin që Rashiq të jetë pjesë e qeverisë së tij, por theksoi se kanë bashkëbiseduar më shumë për procesin zgjedhor, që sipas tij, ka shkuar me parregullsi dhe shkelje të shumta në vendbanimet me shumicë serbe.

Kurti para mediave theksoi, se takimet me LDK-në për harmonizim të programeve do të vazhdojnë javën e ardhshme.

Kurti: Rashiq nuk e ka asnjë aferë, apo skandal të vetëm si ministër

“Zotëri Rashiq nuk e ka asnjë aferë, apo skandal të vetëm si ministër. Më duhet të them që njëri ndër ministrat më të mirë të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë është pikërisht Rashiq. Bisedova me të për procesin zgjedhor se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe. Ky është shumë i zhgënjyer me parregullsitë dhe shkeljet e shumta. Edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar, edhe nga Rashiq çfarë kam dëgjuar mund të them që më shumë ka demokraci në Kinë se sa në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë”, tha ai.

Lideri i Vetëvendosjes, u shpreh i hapur se pas përmbylljes së bisedimeve me LDK-në për koalicionin e ardhshëm, të ulet dhe diskutojë më konkretisht me Rashiqin për përfshirjen e tij në këtë koalicion.

Ndërkaq, nuk foli si cilat ministri do t’iu takojnë pakicave, teksa tha gjitha se parregullsitë që janë bërë në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë si në zgjedhjet e 2017, ashtu dhe të këtij viti do t’i adresojnë si qeveri e ardhshme.

Kurti: Nuk ishte një takim për koalicionin e ardhshëm qeverisës

“Nuk ishte një takim për koalicionin e ardhshëm qeverisës, meqenëse aty ne duhet të merremi më shumë me bisedimet që i kemi me LDK-në...besoni ky është një hap i mëvonshëm, pasi që ne t’i përmbyllim bisedimet me LDK-në”, pohoi Kurti.

Për negociatat e grupeve punuese me LDK-në, i pari i VV-së, tha se do  të bëhet një takim javën e ardhshme.

Kurti: Do të bëhet një takim i radhës në javën që vjen

“Besoj që është e duhur edhe do të bëhet një takim i radhës në javën që vjen dhe padyshim që do t’i informojmë për ditën e saktë”, tha Kurti.

Për dallim nga Kurti, Nenad Rashiq përkundër insistimit nuk ka dashur të deklarohet për media. Lideri i VV-së ka deklaruar shpesh se në qeverisjen e tij nuk do të ketë përfaqësues të Listës Serbe, por serbë të ndershëm që e respektojnë dhe njohin Republikën e Kosovës.

Kurti ka thënë se me Rashiqin nuk kanë biseduar për koalicionin, por për procesin zgjedhor.

Ai ka thënë se Rashiq ishte i zhgënjyer me procesin zgjedhor në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë.

“Bisedova me të për procesin zgjedhor, si ka shkuar në komunat me shumicë serbe. Ai ishte i zhgënjyer. Pra nuk ishte një takim për, lë të themi, koalicionin e ardhëm qeverisës, meqë ne do të merremi më shumë me bisedimet që tashmë i kemi me Lidhjen Demokratike të Kosovë. Ky është një hap i mëvonshëm pasi ne t’i përmbyllim bisedimet me LDK-në. Isha i interesuar që të marr vesh prej tij për procesin si ka shkuar në komunat me shumicë serbe”, ka thënë Kurti.


MË SHUME NGA Lajme