Çantat e rënda të nxënësve të rrezikshme për shëndetin e tyre
BKT
Lajme

Çantat e rënda të nxënësve të rrezikshme për shëndetin e tyre

Ardiana Hajzeri

Çantat e rënda të nxënësve të ciklit të ultë po konsiderohen si të rrezikshme për shëndetin e tyre. Për këtë problem në vazhdimësi janë ankuar edhe prindërit.

Ekspertët shëndetësorë thonë se çantat e mbi ngarkuara mund të dëmtojnë shëndetin e në këtë rast boshtin kurrizor të fëmijëve. Ndërkaq zyrtarë të Ministrisë se Arsimit theksuan se janë duke punuar me drejtoritë komunale, në mënyrë që të bëhet një planifikim me i mirë.

Fëmijët e ciklit të ulët po vazhdojnë të përballen me peshën e rëndë të çantave që i bartin çdo ditë.  Për nënën dhe mësimdhënësen, Blerina Kallaba, e cila i tha Radio Kosovës  se   kjo është e lodhshme dhe dëmshme për fëmijët e saj. Sidomos klasat e para janë të mbingarkuara me tekste shumë prej të cilave janë të panevojshme për këtë moshë.

 “ Unë si prind dhe mësuese mendoj që janë të renda dhe për këtë ka  shumë ankesa. Edhe plan-programi është i mbingarkuar sidomos për klasat e para. Mendoj që përmes aktiviteteve është dashtë me qenë e jo me kaq shumë tekste, për arsye se ende nuk dinë të lexojnë e me qenë kaq shumë të ngarkuar me tekste për mendimin tim, është e tepruar”, ka thënë  Kallaba.

Në lidhje me dëmet që shkakton bartja e padrejtë dhe e rëndë e çantave, doktori  Bujar Gjikolli i tha Radio Kosovës se kemi raste kur fëmijët vijnë me shtyllë kurrizore të deformuar si pasojë e peshave të rënda dhe qëndrimit jo drejt.

 “ Kjo është një patologji që ne tash e hasim shumë shpesh kur na vijnë fëmijët më shtyllën kurrizore të deformuar së pari si pasojë e qëndrimit të gabuar në banka shkollore, karrige. Po ashtu edhe peshat e rënda ndikojnë në dëmtimin e shëndetit dhe duhet t’i kushtohet rëndësi që nxënësit të bartin me vete vetëm ato tekste që janë të nevojshme për realizmin e procesit mësimor”, ka thënë Gjikolli.

Ndërsa, drejtori për arsimin parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se janë duke hartuar një projekt me drejtoritë komunale që të krijohen hapësirat për vendosjen e librave dhe të bëhet planifikimi që mësimi të bëhet në orë bllok.

 “ Drejtoritë e arsimit me shkollat duhet të krijojnë hapësira sipas mundësive për vendosjen e librave. Në jemi duke bërë një projekt me drejtoritë e arsimit që të punohet me orar të mësimit  bllok, që nxënësit mos të bartin për shembull abetaren çdo ditë po varësisht nga orari që kanë”, ka thënë Istogu.

E njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti “Ed Guard”, i tha Radio Kosovës se nga një hulumtim i bërë nga ky institut ka rezultuar që pesha e çantave për klasat e para deri në pesë, është shumë më e rëndë sa mesatarja.

 “ Nga një hulumtim që kemi bërë, ka rezultuar që pesha e çantave në veçanti te cikli i ulët është dukshëm më e madhe se sa mesatarja e lejuar për këtë moshë.  Dhe për këtë ne kemi rekomanduar që të intervenohet në përmbajtjen e teksteve dhe në infrastrukturën e shkollave”, ka thënë Qehaja.

 Sipas të dhënave të nxjerra për peshën e çantave që duhet të bartin fëmijët e klasave të para deri në të pestën ka rezultuar që nuk guxon të kalojë dhjetë përqindëshin e peshës trupore te fëmijët.


MË SHUME NGA Lajme