Fryma e pakënaqësisë dhe realizimi

Fryma e pakënaqësisë dhe realizimi

Ballsor Hoxha

Shteti i Kosovës prej 6 tetorit ka ndërruar. Kanë ndërruar edhe dëshirat e edhe pritjet e votuesve (atyre që kanë votuar) ndaj pushtetit dhe qeverisjes.

Por a kanë ndryshuar mundësitë dhe aftësitë e kësaj qeverisjeje? A pritet realizim i atyre që janë premtuar? Në të vërtetë ndryshimet kanë ndodhur për shkak të premtimeve që janë bërë. Por nga ana e votuesve, nga perspektiva e tyre a janë këto vetëm dëshira apo edhe pritje reale?

Pyetja më e saktë këtu është: a është kjo aftësi politike e qeverisë së re, apo frymë e pakënaqësisë? Frymë e pakënaqësisë që ka të bëjë me pamundësinë tonë si tragjedi. Gjë që nuk ka të bëjë fare me politikë dhe me partitë politike fituese të zgjedhjeve?

Në të vërtetë fryma e pakënaqësisë është mbizotërim total në popullatë. Si në partitë humbëse po ashtu edhe në ato fituese të zgjedhjeve. Edhe në perspektivën sociale, psikologjike e po ashtu edhe në atë politike dhe humane. Fryma e pakënaqësisë është në të vërtetë dorëzimi i këtij populli para pamundësisë.

Por kjo frymë pakënaqësie, vetëm sa për shembull, mbizotëron në të gjitha vendet e Evropës Lindore. Dhe aq më shumë në vendet e vogla të cilat janë përfshirë nga globalizmi. Këto vende të Evropës Juglindore janë liruar nga komunizmi pushtetmbajtës ka tri dekada. Por pakënaqësia ende vazhdon, dhe atë me gjithë fondet e pakufishme të BE-së ndaj tyre. Aq më shumë që të njëjtat tani po kërcënojnë me kthimin kah Kina.

Nuk ka këtu të bëjë aq shumë me orientimin politik të këtyre vendeve, të majtë apo të djathtë. Shumë më shumë ka të bëjë me frustrimin, pakënaqësinë dhe pamundësinë e vendeve të vogla për të krijuar shtetësinë dhe pavarësinë e tyre. Jo vetëm financiare por edhe atë të mirëqenies ndaj globalizmit.

Krahasuar tri dekdat e frustrimit të Evropës Lindore me frustrimin në Kosovë, ndryshimet në pushtetin e Kosovës janë krejtësisht dinamike dhe të vetëdijshme. Por edhe ndodhin në kohë krejtësisht të shpejtë (gjithnji në krahasim me vendet tjera). Gjë që na bën të pyetemi nëse këto janë ndryshime të realizueshme dhe reale apo nëse janë votime dhe zgjedhje të cilat nuk e marrin parasysh mundësinë. Në të vërtetë kjo më shumë del dëshirë dhe frymë e sipërfaqëshme. Frymë e cila nuk arrinë në thelb të ndryshimit të nevojshëm. Por në të vërtetë krijon konsum të kryeministrave dhe të faljeve të argumenteve dhe të veprimeve të secilit.

Në të vërtetë ka një paradoks ndërmjet fituesit të zgjedhjeve dhe të përfshirjes së popullatës në – shndërrimin e Kosovës. Ky ndryshim është i drejtë me thënien se çdo shoqëri ka liderët siç është vet. Ky ndryshim e vë në pikëpyetje pastërtinë e premtuar (por jo edhe në përvojë) të fituesve të zgjedhjeve me pritjet e po të njëjtës shoqëri. Pritjet dhe ndryshimi janë në të vërtetë dëshira, por jo edhe mundësia e realizimit. E cila asnjëherë nuk është provuar dhe sprovuar në këtë perspektivë.Dhe atë është jo vetëm e fituesve por edhe e humbësve,

Në fund të fundit, mund të konstatohet se shoqëria kosovare po hyn në rrugën e edukimit ndaj:1. Globalizimit; 2. kthimeve të mëdha të historisë që kanë ndodhur shumë kohë të afërt me aktualitetin (në përmasa historike jo të përçdoditshme); 3. dhe në kryqëzimet e superfuqive globale. Ajo që mbetet është rruga e pranimit si edhe e vetëdijesimit. Se jemi aq të vegjël në këtë megalomani që na ka përfshirë sa që krejt çka mund të bëjmë është të pajtohemi me të njëjtat pa e humbur krenarinë.