Prokuroria: Nuk e kemi pranuar raportin e ekspertizës për rastin Dehari
Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se nuk ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin e Astrit Deharit.
Ky reagim i Prokurorisë vie pas deklaratës së avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi, i cili ka thënë se raporti i Institutit zviceran mbi vdekjen e Astrit Deharit ka përfunduar dhe se atë e ka marrë Ministria e Drejtësisë në Kosovë.
Avokati Gashi, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka kërkuar nga ministri në detyrë, Abelard Tahiri që ta dorëzojë raportin tek ai.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se në momentin kur raporti do të arrijë në Prokurorinë e Shtetit, menjëherë do të njoftohet opinioni publik.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se deri në momentin e lëshimit të kësaj komunikate, nuk e ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari nga Instituti i Lozanës në Zvicër.
Për hirë të informimit të drejtë të opinionit, në momentin që ky raport të mbërrij përmes ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe i njëjti të pranohet në Prokurorinë e Shtetit, menjëherë do të njoftohet opinioni publik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.























