Kurti në Londër, takohet me zyrtarë të parlamentit britanik
Kurti në Londër takohet me zyrtarë të parlamentit britanik, diskutojnë për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.
Ai gjatë kësaj vizite në Parlamentin Britanik, ka takuar John Cryer, kryesuesin e Grupit Parlamentar të Laburistëve, Khalid Mahmood, Ministër i Punëve të Jashtme në hije dhe Kastriot Berberi, këshilltar komunal në Waltham Forest.
Kurti në një postim në llogarinë e tij në 'Facebook' ka shkruar se me ta ka diskutuar për marrëdhëniet e mira bilaterale midis dy vendeve, situatën socio-ekonomike në Kosovë, për ndryshimet politike pas fitores së LVV në zgjedhjet e 6 tetorit, si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon Britania e Madhe lidhur me BREXIT-in.
“Ministri i Punëve të Jashtme në hije, Khalid shprehu vullnetin për bashkëpunim dhe për të përkrahur qeverinë e ardhshme në fushën e investimeve, tregtisë e drejtësisë, si dhe për të ndihmuar e përkrahur Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në këtë takim isha bashkë me deputetet Saranda Bogujevci e Fitore Pacolli si dhe me Agim Morinën, koordinator i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Britani të Madhe”, ka shkruar ai.























