Brenda këtij afati LVV dhe LDK duhet ta formojnë qeverinë
Sharr Travel

Brenda këtij afati LVV dhe LDK duhet ta formojnë qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve të deri më tashme është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Si fituese e zgjedhjeve, asaj i takon që të formojë qeverinë e re të Kosovës. Por për ta formuar Qeverinë e re, LVV-së i duhen 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Edhe pse ende nuk janë publikuar rezultatet e kompletuara nga KQZ-, LVV po bën negociata me vendin e dytë, LDK-në.

Por, edhe sa ka kohë që koalicioni LVV-LDK të formojnë qeverinë e re?

Sipas kushtetutës, saktësisht nenit 95, pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër nga partia apo koalicioni që ka shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.”

“Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.”

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.”

“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.”

“Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj.”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.