Deliu: Koalicioni LDK- LVV s’kanë asgjë të përbashkët

Deliu: Koalicioni LDK- LVV s’kanë asgjë të përbashkët

Partia Demokratike e Kosovës u rendit e treta në zgjedhjet e 6 tetorit duke arritur të sigurojë 21.05 për qind të votave të përgjithshme.

Megjithëse akoma po vazhdon numërimi kjo parti është pozicionuar në kampin opozitar.

Deputetja e kësaj partie Blerta Deliu Kodra në një prononcim për Gazeta Blic ka theksuar se pavarësisht që PDK mbetet parti opozitare, ky subjekt politik ka një vote të fuqishme që e kanë përkrahë platformën e Dekadës së Re.

“Rezultati është ky që është, ne jemi disa mandate në pushtet që nga viti 2007. Është e rëndësishme që pavarësisht faktit që mbetemi parti opozitare ne kemi një vote të fuqishme qytetarë që e kanë mbështetë platformën e partisë Demokratike të Kosovës. Jemi në pritje të certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ, derisa nuk ka certifikim është e vështirë të flitet për numra pasi procesi është tu vazhdo por menjëherë pas certifikimit ne do të kemi një rikonsolidim, rifuqizim dhe rikonstruktim të grupit duke u përpjekë me e krye detyrën tone për të cilën na ka votu qytetari i Kosovës” theksoi Deliu-Kodra.

Deliu foli edhe mbi koalicionin e ardhshëm qeverisës në vend.

Ajo tha se ky koalicion është koalicioni më i panatyrshëm dhe që nuk ka lidhje programore mes tyre.

“Është koalicion që nuk ka as lidhje programore dhe asnjë lidhje tjetër. Ne jemi në pritje të asaj nëse do të bëhet qeveria dhe qytetarët e Kosovës e kanë thënë më së miri se ky koalicon është një lidhje totalisht e panatyrshme midis dy partive që nuk kanë asgjë të përbashkët” thotë Deliu.

Ajo në fund deklaroi se PDK është në opozitë dhe do të punojë për adresimin e problematikave të qytetarëve.