Shkrimtarja shqiptare merr pjesë në Festivalin e Librit në Zürich
Lulëzim Etemaj
Nga data 23-27 tetor 2019 mbahet në Zürich të Zvicrës Festivali i Librit dhe Letërsisë, “Zürich liest” (“Cyrihu lexon”). Ky festival është themeluar në vitin 2009 nga librarët dhe Shoqata e Botuesve e Zürichut, mbahet çdo vit dhe është festivali më i madh i letërsisë dhe librit në Zvicër.
Pjesë e programit pesëditor të larmishëm dhe shumë të pasur të këtij festivali, krahas shkrimtarëve të nominuar për Çmimin “SCHWEIZER BUCH PREIS 2019”, si Alain Claude Sulzer dhe Ivna Zhiç, si e ftuar speciale është edhe shkrimtarja shqiptare nga Kosova me banim në Zvicër, Basrie Murati-Sakiri.
“Unhaltbare Zustande” (“Rrethana të papërballueshme”), ky është titulli i romanit të shkrimtarit zviceran Alain Claude Sulzer, i cili para publikut do të paraqitet më datën 25 tetor 2019, duke filluar nga ora 20.00-21.30. Shkrimtarja kroate, Inva Zhiç, e lindur në Zagreb dhe rritur në Zürich, romani i së cilës mban titullin “DIE NACHKOMMENDE” (“Pasardhësi”), është në program për t’u lexuar për publikun më 26 tetor 2019, nga ora 19.30-21.00.“Në mënyrë mbresëlënëse e përshkruan Basrie Murati-Sakiri në ditarin e saj dypjesësh se si është ta lësh prapa gjithë jetën tënde. Së bashku me vëllezërit e saj, shoqet dhe shokët, si 18-vjeçare, ajo luftonte për Kosovën Republikë. Kryengritja e tillë e detyroi atë të arratiset në vitin 1989 në Zvicër”. Kjo është një pjesë e shkëputur nga prezantimi që i bëhet librit të autores shqiptare Basrie Murati- Sakiri, “Bleibende Spuren – Mein Weg vom Kosovo in die Schweiz” (“Gjurmë të përhershme, rruga ime nga Kosova në Zvicër”), të botuar më 30 prill 2019 nga njëra prej shtëpive botuese më prestigjioze në Zvicër, “Rotpunktverlag”, në faqen zyrtare të internetit të Festivalit “Zürich liest”.























