Cakolli: KQZ s’ka mandat për vlerësim të votave të ‘manipuluara’
BKT
Lajme

Cakolli: KQZ s’ka mandat për vlerësim të votave të ‘manipuluara’

RTKlive

Nga partitë politike po diskutohet për rreth 3.000 vota të ardhura nga Serbia e të cilat janë numëruar nga QNR, por që sipas disa partive ato duhet të anulohen.

Eugen Cakolli nga KDI tha se çështja e votave të ardhura nga Serbia është shumë e thjeshtë. “Së pari, ato dallojnë substancialisht me rreth 4,500 votat e refuzuara të diasporës. Andaj, është me rëndësi që mos të nxirren paralele mes tyre. Zarfet me fletëvotimet e supozuara nga Serbia kanë ardhur në fahun postar të KQZ-së brenda periudhës së paraparë ligjore (4 tetor). KQZ-ja ka përmbushur mandatin e saj me marrjen dhe procedimin e tyre në objektin përkatës, pa u lëshuar në aspektin procedural të pranimit të tyre nga Posta, që si procedurë nuk është nën juridiksionin e KQZ-së”, ka shkruar Cakolli në llogarinë  në “Facebook”.

Sipas tij pas verifikimit të rreth 3,700 zarfeve (prej të cilave janë refuzuar mbi 800 sosh) KQZ-ja ka qenë e obliguar që zarfet e aprovuara t’i dërgojë për numërim, në përputhje me procedurat e parapara ligjore. Dallimi i vetëm ka qenë periudha kohore kur një gjë e tillë ka pasur për të ndodhur.

“KQZ-ja, përkatësisht QNR-ja, nuk ka mandat për të bërë vlerësim se a janë këto vota të manipuluara ose jo, apo a janë dërguar në mënyrë të organizuar. Kjo është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të drejtësisë, e në veçanti e PZAP-së. Rasti i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Istogut, tregon që PZAP-ja, pas ofrimit të provave të bollshme dhe verifikimit të votave të ardhura me postë, mund t’i anulojë ato. Ndërsa, sa i përket dyshimeve për fabrikim të këtyre votave, përveç PZAP-së duhet që me to të merret edhe Prokuroria, me inicimin e procedurave hetimore. Subjektet politike nuk duhet të akuzojnë KQZ-në për pranimin e këtyre votave, por duhet që të sigurojnë prova të mjaftueshme (të cilat mund t'i marrin në QNR), e pastaj të kërkojnë nga PZAP-ja anulimin e këtyre votave apo mospërfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar. Sidoqoftë, ky rast duhet të shërbejë si mësim se sa e rëndësishme është reforma zgjedhore, e që medoemos duhet të prekë edhe operacionin e votimit jashtë Kosovës”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme