Qendrat mësimore për RAE në Fushë Kosovë rrezikohen të mbyllen më 2020
Qendrat mësimore për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në Fushë Kosovë rrezikohet të mbyllen në fillim te vitit 2020. Kjo do të ndodhë si shkak i mjeteve financiare të pamjaftueshme për vazhdimin e arsimimit të fëmijëve romë, egjiptianë e ashkalinj.
Kështu u tha gjatë vizitës së zëvendësshefit të Zyrës së BE/PSBE, Riccardo Serri në këto qendra në Fushë Kosovë.
Ai u zotua se si zyre e BE-së në Kosovë kanë prioritet arsimimin dhe edukimin e fëmijëve.
Muhamet Arifi, drejtor i Qendrave Mësimore, tha se organizata Ballkan Sunflowers ka gjashtë qendra, në katër komuna të Kosovës. Si shkak i mungesës së mjeteve financiare, ai tha se edhe dy muaj këto qendra janë në rrezik që të mbyllen.
Sipas tij, nëse nuk ndërmerret diçka nga institucionet atëherë suksesit 12-vjeçar do t'i vijë fundi.
Islam Shabani, drejtor komunal i Arsimit, tha se si komunë do të bëjnë përpjekje që këto qendra të vazhdojnë funksionimin e tyre.
Gjatë vizitës së Serrit në këto qendra, fëmijët po ashtu kanë pasur mundësi që bisedojnë me të. Atyre mes tjerash u ka interesuar të dinë se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave. Ai u tha fëmijëve se nuk di se kur do të ndodhë një gjë e tillë, por që shpreson se shumë shpejt qytetarët të kenë mundësi të lëvizin pa viza.























