`Cirku fluturues` i Berishës, me premierë botërore në Estoni
Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues”, me skenar dhe me regji nga Fatos Berisha dhe me producente Vjosa Berishën, do ta ketë premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, në Tallin të Estonisë. Lajmin e ka konfirmuar gjatë ditës së enjte Qendra Kinematografike e Kosovës.
Fakti se filmi i tij do të shfaqet në një festival prestigjioz dhe të vlerësuar në botën e kinematografisë e ka gëzuar filmbërësin Fatos Berisha. Regjisori është shprehur i lumtur, siç ka thënë ai, që puna e gjithë ekipit po shpërblehet me këtë premierë të rëndësishme. “Jam i lumtur që po përfundon rrugëtimi i gjatë i prodhimit të këtij filmi dhe njëkohësisht shumë i gëzuar që do të fillojmë rrugëtimin në festivale dhe në kinema. Jam krenar që puna e të gjithë ekipit është vlerësuar me pjesëmarrje në konkurrencën kryesore në një festival të ‘Kategorisë A’”, u shpreh Fatos Berisha, regjisori i filmit.
Për këtë sukses ekipin e filmit “Cirku fluturues” e ka uruar edhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku. “‘Cirku fluturues’ nga Fatos Berisha shënon një sukses të jashtëzakonshëm, duke hyrë në konkurrencë kryesore në Festivalin e Filmit në Tallin. Urime të gjithë krijuesve të këtij filmi të mrekullueshëm e në veçanti Fatosit dhe Vjosës për punë e gjatë dhe me përkushtim në krijimin e këtij tregimi, të bazuar në ngjarje të vërtetë”, ka shkruar Zharku.
“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori.
Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topië. Ndërsa në rolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. /Zëri/























