VIDEO - Djali e shpëton nënën nga dhuna e babait
BKT
Lajme

VIDEO - Djali e shpëton nënën nga dhuna e babait

Kaltrina Rexhepi

Në emër të dashurisë, dy persona lidhin edhe kontraten për jetën e tyre, të quajtur Martesë. Martesa ësht pakt mes dy personave që premtojnë lumturi, kujdes, dashuri dhe një vatër të ngrohtë familjare. Por, ai premtim shumë shpesh bëhet premtimi më i kobshëm që një grua dhe një burrë e kanë bërë. Martesa kthehet në ferrin e tyre. Një ferr të tillë e ka përjetuar për 17 vjet edhe viktima që e kemi intervistuar. Ajo nuk pranon të zbulohet identiteti i saj, nga frika për të ardhmen e fëmijëve. Atë do ta quajmë Vesa.

“33 vjeçe jam, shkollë nuk kamë të kryer asgjë, vetëm filloren. 16 vjeçe jamë martu, 16 vjeçe gjysmë. Pas dy jave që jamë martu ja ka nis dhuna edhe 17 vjet në dhunë kam nejt…”, rrëfen Vesa. Vesa edhe pse në moshë të mitur, është rrahur brutalisht nga bashkëshorti i saj.

“Jom shku në spital, m’u ka marrë kama, m’u ka marrë dora, se m’ka ra aq shumë , m’ka ra n’kry me grushta e shkelma, përplasje për zidi e toke, për flokë më ka ngre zhag nepër shtëpi, jam shku në spital, jo njëhrë po s’di saherë. Më shumë kam nejt me hapa të qetsimit”.

 Burri i saj kishte përdorur mjete të ndryshme të dhunës, ndaj gruas së tij. “Tyrlifarë dhune ka ushtru në mu, me thikë, e ka çel deren e shporetit me ma shti kryt në shporet, m’ka qit në pikë të dimrit jashtë n’rrugë”.

Së paku 3 herë Vesa kishte shkuar në Polici, që të raportonte dhunën që kishte nga burri i saj, tek i cili ishte kthyer përsëri. “Nuk e di saktë, vetëm tri herë kështu e di që kam ardh këtu, por edhe më herët ka pasë. Dojsha me pshtu veten, me e mbrojtë veten diqysh, s’kisha ka me shku se u lodha, shko te baba, shko anej, u lodha mo . Po u burgosë , ka qëndru 5 muaj. Dy  herë është burgos për mu , por veç më shumë është bë agresiv, burgu s’i bon asgjë atij”.

Vesën a ka shpëtuar Policia, fqinjët dhe djali i saj 13 vjeç. Në vend që Nëna dhe babi, t’i sigurojë atij një ambient të sigurt për jetë dhe të ardhme, ai fëmijë duhet të luftoj me prindin e tij, që ta shpëtojë Nënën.

“Herën e fundit me ka mbrojtë djali se u kanë ka me mytË krejt, edhe i kam ra djalit 13 vjeç në dorë i kamë thënë: Mam edhe qetash pshtom se s’muj ma , m’ka ardh fundi. U mundu djali qaq shumë sa ka pas fuqi e ka hek prej trupit tem edhe m’ka pshtu, edhe nuk e di as vet qysh jam pshtu se u kanë tum myt”.

Burri i Vesës edhe e kishte paralajmëruar atë “sot tha kam me të myt. Sot, tha, është dita jote e fundit që ki me jetu”.

Vesa si shkak i dhunës që ka përjetuar, sot është një grua më e fortë, dhe ka marrë forcë që ta mbroj veten e saj. Ajo për emisionin “UDHËVE”, në RTK, u bën thirrje grave që mos ta durojnë dhunën në familje. “E kam pa që ai kurgjo nuk mundet me bo, veq një gru mundet me e rreh”. Gjendja e vështirë ekonomike, përkrahja familjare, mungesa e trashëgimisë së femres, kanë bërë që dhuna të jetë e pranishme në shumë familje në Kosovë (GFX). Gjatë vitit 2015 janë raportuar 1038 raste, gjatë vitit 2016 janë raportuar 1226 raste, gjatë vitit 2017 janë raportuar 1269 raste, gjatë vitit 2018 janë raportuar 1533 raste ndërsa gjatë periudhes janar – gusht 2019 janë raportuar 1135 raste të dhunës në familje. Këto gra nuk janë të vetmet që kanë dhunë. Shumica e tyre që kanë raportuar dhunë në familje, fillimisht kanë duruar me muaj e vite dhunën, deri sa kanë marë guximin që të dalin kundër dhunuesit, burrit të tyre dhe kundër mentalitetit. Që nga viti 2015 janë 17 gra kanë humbur jetën në Kosovë, si shkak i dhunës. 161 raste të dhunës të cilat janë raste të përsëritura, janë kthyer tek dhunuesi për të jetuar. Faktorët janë të shumtë, si mentaliteti, përkrahja familjare, pamundësia e jetës së pavarur, çështjet ekonomike dhe cështja e fëmijeve.

“Familja na ka mësu , mos me folë, me punu, me dëgju burrin edhe me e ulë kryt …Nuk bënë me bo asgjë, ne gratë nuk bënë me folë, se të gjitha gratë kanë hjek, duhet edhe ne tash… këto janë kanë fjalt e prindërve të mi normal”.

Vesa thotë se kishte duruar, edhe për t’i mbrojtur familjarët e saj. “Me ka kërcënu, ti mys vëllëzrit, qeshtu, edhe jam tut … për shkak të qasaj punes e kam qit veten se vet e kamë marrë ma para vet me shku (me vdekë), se sa me shku dikush prej familjes teme”.


MË SHUME NGA Lajme