Edukimi medial i nevojshëm të futet si lëndë mësimore
BKT
Lajme

Edukimi medial i nevojshëm të futet si lëndë mësimore

Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore janë mbledhur sot në një tryezë me qëllim të shënimit të javës globale për edukimin medial mbi median dhe informacionin.

Kjo javë i dedikohet lirisë së shprehjes, në mënyrë që të ketë diversitet më të madh dhe të njoftohen qytetarët për përmbajtjet mediale.

Kryeshefi ekzekutiv i KPM-së Luan Latifi tha se kjo ngjarje ka për qëllim promovimin e edukimit medial si dhe përcaktimin e hapave të mëtejmë drejt zhvillimit të politikave që ndërlidhën me këtë fushë.

Nënkryetarja e KMP-së Violeta Hyseni - Kelmendi,  u shpreh e bindur se KPM, mund të merr një rol aktiv duke realizuar projekte të ndryshme për Edukimin Medial.

Për realizimin e këtij projekti sipas Kelmendit, KPM do të bashkëpunojë me media, shoqëri civile, institucione akademike dhe palë të tjera të cilat shprehin interesim.

Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara Imer Mushkolaj, tha se  lënda e edukimit medial duhet të futet në shkolla, pasi që do të ndihmonte shumë mediat që të jenë të vetëdijshme për përmbajtjen që ofrojnë.

Mushkolaj tha se përderisa  te gjeneratat e reja fokusi duhet të jetë te futja e lëndës edukim medial në shkolla, te gjeneratat më në moshë duhet të jetë edukimi se si ta njohin informacionin nëse është lajm i rremë ose i vërtetë.

Nga Departamenti  i Gazetarisë në Fakultetin Filologjik të UP-së Remzije Shahini-Hoxhaj tha se mësimdhënësit luajnë rolin kryesor në edukimin medial dhe në mendimin kritik.

Ajo tregoi se Departamenti i Gazetarisë këtë vit ka pasur një pilot projekt në bashkëpunim me organizatën INDEP dhe UNESCO, për trajnimin e mësimdhënësve në Edukimin Medial, ku sipas saj deri tani kanë arritur t’i trajnojnë 300 mësimdhënës të shkollave të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme