Kosova të ndajë fonde të mjaftushme për grupet e cenueshme
BKT
Lajme

Kosova të ndajë fonde të mjaftushme për grupet e cenueshme

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në aspektin në ofrim të shërbimeve më cilësore sociale për grupet e margjinalizuara.

Ndërsa nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u kërkua që të ndahet buxhet i mjaftueshëm jo vetëm për çështjet themelore por edhe për rehabilitim të këtyre grupeve.

Kështu u tha në eventin përmbyllës të “Mbështetja për shërbime të mira sociale për grupet më të rrezikuara” i cili u zbatua nga Save the Children ndërsa u financua nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia suedeze për bashkëpunim ndërkombëtar për zhvillim.

Qëllimi i këtij projekt ishte transformimi efektiv i sistemit të shërbimeve sociale në Kosovë dhe përmirësimi i cilësisë dhe disponueshmërisë së shërbimeve sociale dhe komunitare për fëmijët, njerëzit e cenueshëm që jetojnë në rrezik shoqëror.

Drejtori i “Save  the Children”, Ahmet Kryeziu duke e konsideruar si të suksesshëm këtë projekt tha se përmes tij është arritur tek një ofrim më cilësor i shërbimeve sociale për grupet në nevojë.

Kurse, zevendës udhëheqësja për bashkëpunim në Zyrën e Bashimit Evropian në Kosovë, Hillen Francke u shpreh se ofrimi i shërbimeve sociale cilësore për grupet e cenueshme të Kosovës është vlerë kyçe për Bashkimin Evropian.

Sipas saj përmes financimit nga Zyra  e BE-së kanë përfituar 5 mijë persona duke përfshirë fëmijë e të moshuar, derisa janë trajnuar 160 punonjës social për të ofruar praktikat më të mira për shërbimet sociale dhe familjare.

Francke tha se Bashkimi Evropian deri më tani ka financuar shërbimet sociale në Kosovë me 28 milionë euro.

Drejtori i Departamentit për çështje sociale dhe familjare, Mentor Morina u shpreh se deri tani si Ministri kanë ofruar licensim për 1 mijë ofrues të shërbimeve sociale dhe 40 OJQ që ofrojnë këso lloj shërbimesh.

Morina tha se sfidë mbetet mbështetja buxhetore në nivel komunal me qëllim të ofrimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale.  

Prezantimin e rezultateve të këtij projekti i ka bërë  menaxheri i projektit, Trim Kabashi, i cili tha se përfitues të këtij projekti janë kryesisht fëmijët dhe të rritur me aftësi të kufizuara, viktimat  e dhunës dhe trafikimit dhe të moshuarit.

Sipas tij me 1.5 milionë euro janë mbështetur institucionet kompetente që ndikojnë direkt në shërbime më cilësore sociale.

Projekti “Mbështetja për shërbime të mira sociale për grupet më të rrezikuara”, u zbatua nga “Save dhe Children”, në partneritet me Qendrën Evropiane për Politika dhe Kërkime të Mirëqenies Sociale, dhe gjithsej 27 organizata joqeveritare lokale.

Ky projekt ka zgjatur gjithsej 31 muaj dhe pritet të përfundojë në fund të dhjetorit të këtij viti, ndërsa shtrirja e tij ka qenë në të gjitha komunat e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme